1 ditë nga përfundimi i afatit, Ambasada britanike në Kosovë thirrje politikës: Të zbatohen vendimet e Kushtetueses

Një ditë para përfundimit të afatit të përkohshëm të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila u ndaloi deputetëve të zgjedhur çdo veprim apo vendim për konstituim të Kuvendit deri më datën 8 gusht, Ambasada Britanike në Kosovë u ka bërë thirrje subjekteve politike që të respektojnë dhe zbatojnë vendimin e gjykatës.
Me një postim në rrjetin social Facebook, Ambasada shkruan se aftësia e gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë.
“Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj. Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët, dhe vendimet e Gjykatës të respektohen dhe zbatohen”, shkruan ambasada.
53 seanca plenare kanë dështuar për konsitutimin e Kuvendit të Kosovës, pasi subjektet politike nuk propozonin emrat e anëtarëve të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kjo thirrje vjen në një moment delikat për skenën politike të Kosovës, ndërsa Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit.
Së fundmi, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se ka tërhequr kërkesën e saj për shqyrtim nga Kushtetuesja për seancën konstituive, pasi gjyqtar raportues në këtë çështje ishte caktuar Radomir Laban, një gjykatës serb. Presidentja e konsideroi atë si një “person të rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues”.
/rtsh.al/