E Diel, 1 Nëntor 2026

10 milionë fëmijë në shkolla do të pyeten mbi dhunën seksuale, ministri francez bën njoftimin –

Ministri francez i arsimit, Edouard Geffray ka bërë të ditur të hënën se në pyetësorin vjetor i cili plotësohet nga miliona nxënës në shkolla do të përfshihen pyetje mbi dhunën seksuale dhe atë me bazë gjinore

Sipas tij, rreth 10 milionë nxënës, nga viti i fundit i arsimit parashkollor deri në përfundimin e arsimit të mesëm, do të pyeten specifikisht nëse kanë përjetuar dhunë seksuale ose dhunë me bazë gjinore.

“Një në 10 fëmijë është viktimë e dhunës seksuale në Francë”, u shpreh Geffray.

Pyetësori do të jetë fillimisht anonim, ndërsa nxënësit do të kenë mundësinë të vendosin emrin e tyre nëse dëshirojnë të flasin me një të rritur të besuar.

Geffray tha se pyetjet do të hartohen në konsultim me stafin e shkollave, shoqatat e prindërve dhe një komitet ekspertësh, ku do të përfshihen edhe psikiatër të fëmijëve.

Ministri theksoi gjithashtu se sistemi kombëtar i arsimit është burimi kryesor në Francë për raportimet lidhur me rastet e dhunës ndaj të miturve.

Në vitin 2025, u paraqitën 88 mijë raportime për shqetësime lidhur me fëmijët, në raste që kishin të bënin me dhunë seksuale ose me dështime të prindërve në përmbushjen e detyrimeve ndaj tyre.

Njoftimi vjen pas një sërë rastesh që kanë ngritur shqetësime mbi mënyrën se si autoritetet franceze kanë trajtuar rastet e dhunës seksuale ndaj fëmijëve.

Vjeshtën e kaluar, disa skandale të lidhura me akuza për dhunë seksuale u bënë publike në shërbimet e kujdesit për fëmijët pas orarit shkollor në Paris. Si pasojë, dhjetëra drejtues aktivitetesh u pezulluan, disa prej tyre për shkak të akuzave për sulme seksuale. Raste të ngjashme u raportuan edhe në zona të tjera të Francës.

Pas vrasjes së dyshuar së një 11 vjeçareje nga një person i cili njihej për sulme seksuale ndaj të miturve, por nuk ishte marrë në pyetje lidhur me këto akuza, ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin, u kërkoi prokurorëve kryesorë të Francës të rishikonin ankesat që lidhen me fëmijët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›