100-vjetori i Pavarësisë, Ministria e Kulturës shpall axhendën e festimeve
Tiranë- Një ditë pas hyrjes në muajin e 100-vjetorit të pavarësimit të shtetit shqiptar në 1912-ën autoritetet kanë zbuluar aktivitetet e parashikuara me rastin.
Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi ka shpallur ditën e sotme axhendën për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Sipas Bumçit festimet për 100-vjetorin nisin me 28 Nëntor në qytetin historik të Vlorës, duke shtuar se në po këtë datë personalitetet më të larta të vendit do të kremtojnë festen e shënuar në këtë qytet.
“Festohet në Vlorë e pas dreke në Tiranë, ka ngjarje të shumta. Kemi perurimin e permendores të kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë, koncerte festive, mbrëmjen solemne akademike dhe aktivitete të tjera gjatë ditës. Ardhjen për herë të parë të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, është hera e parë që lënë Austrinë. ‘Mesharit’ e Buzukut, i pari libër i dokumentuar në gjuhën shqipe. Ekspozitat e Budit, Bogdanit, Bardhit… Ekspozita e Kodikëve të Beratit, perurimin e monumenteve që nga Ismail Qemali, Mbreti Zog, Hasan Prishtinës”,-tha Bumçi.
Po ashtu ministria tha se festimet në Vlorë do të nisin që më datën 27 nëntor në trevat mbarë shqiptare, teksa kryeqendra e tyre do të jetë kryeqyteti, Tirana.