100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, Spiropali: Model i ndërgjegjes kombëtare dhe identitetit evropian

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka përkujtuar 100-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit duke e cilësuar atë si shembull të çdo njeriu dhe politikani që kanë si orientim drejtësinë sociale.
Për Spiropalin At Zef Pllumi ishte një model i ndërgjegjes kombëtare dhe identitetit evropian të shqiptarëve.
“Sot përkujtojmë 100-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit. At Zef Pllumi ishte një figurë e madhe françeskane dhe një nga njerëzit më të shquar të letrave, kulturës dhe qytetërimit shqiptar. Me jetën e tij të mbushur me dhimbje dhe vuajtje për shkak të besimit dhe ideve të tij, krijoi një model që u bë pjesë e ndërgjegjes kombëtare dhe identitetit evropian të shqiptarëve.
Përmes librit të tij “Rrno vetëm për me tregue,” na dha një udhëzues të rëndësishëm se si ky model mund të frymëzojë të gjithë: besimtarë dhe jo besimtarë, të varfër dhe të pasur, qeveritarë dhe qytetarë, të majtë dhe të djathtë, në fshat dhe në qytet, nga lindja në perëndim, nga veriu në jug.
Impenjimi i tij kulturor, social e politik, në kuptimin më të gjerë, mbetet shembull për çdo politikan vullnetmirë që ka orientim themelor drejtësinë sociale”, shkruan Spiropali.
/rtsh.al/