1073 personalitete i bëjnë apel z.Rama: Lejo deputetët të votojnë tre ligjet!

Brenda 10 ditësh arrin në 1073 numri i personaliteteve shqiptare, intelektualë, piktorë, artistë, shkrimtarë, akademikë, profesorë të mirënjohur, doktorë shkencash, mjekë, sportistë, veteranë, pasardhës të firmëtarëve të aktit të pavarësisë e shumë emra të nderuar që i bashkohen nismës së elitës shqiptare në letrën drejtuar z.Rama, ku i kërkojnë të mos pengojë deputetët të votojnë tre ligjet. Këtij apeli i janë bashkuar sot 317 emra të mirënjohur.
Peticionin drejtuar z. Rama e kanë mbështetur sot me firmat e tyre veteranë të Luftës, ku spikasin emrat e Liri Belishovës, Rrahman Parllakut, Edip Ohrit, kolonel Ali Demushit etj.
Personaliteteve shqiptare në apelin e tyre drejtuar zotit Rama i janë bashkuar akademikë, drejtues të katedrave prestigjioze nga universitetet në mbarë vendin, nga arkitektura, inxhinieria e mjedisit, të shkencave biologjike, ekonomike, të së drejtës dhe të mjekësisë.
Ndër emrat bie në sy profesori i stomatologjisë Cerciz Mingomataj, doktore e shkencave Loreta Kuneshka, arkitektët Daniel Guralumi ( Dr i shkencave) Ermira Margariti, Estela Kokalari, si dhe pedagoge e pedagogë, kolegë të tyre.
Letrën drejtuar z.Rama e kanë firmosur edhe ish të përndjekur politik, ndër të cilët, Uran Kostreci, Reshat Kripa, Bedri Çoku, Qamil Merlika e të tjerë.
Në letrën e tyre ata shprehen se, “tradicionalisht, elitat politike shqiptare marrëdhënien e privilegjuar me Europën e kanë pasur vizion dhe mision”. “Sot, këtij programi shpirtëror të kahershëm të shqiptarëve i kanë mbetur vetëm pak hapa për t’u shndërruar në një realitet konkret. Ky nuk është më vetëm vizion, as vetëm mision, tashmë është thjeshtë një detyrë që nuk kërkon asgjë të veçantë për t’u kryer, thjeshtë kurajë qytetare”.
Nismëtarët e kësaj lëvizjeje theksojnë se kjo nismë nuk ka ngjyrime politike. Interesi i vetëm është interesi kombëtar. Ata i bëjnë apel z.Rama të bashkohet me të gjithë shqiptarët, të lejojë deputetët të votojnë tre ligjet, e të mos pengojë më rrugën e shqiptarëve drejt shtëpisë Evropiane.