E Martë, 3 Nëntor 2026

11 Maji, kryesia e PL-së: Ilir Meta garon për deputet në listën e hapur të Tiranës

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Kryesia e Partisë së Lirisë miratoi sot vendimin e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për të qenë kandidat për deputet në listën e hapur, në qarkun e Tiranës, të koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, në zgjedhjet për Kuvend të datës 11 Maj 2025.

Nga qelia e paraburgimit, presidenti i PL-së në audio-mesazhin drejtuar Komitetit Drejtues Kombëtar, tha se “në listat e hapura të përzgjedhim kandidatë sa më përbashkues dhe përfaqësues”.

“Sot kemi aderuar në një koalicion historik me Partinë Demokratike dhe 25 parti të tjera, jo vetëm për të garantuar rotacionin politik, por edhe për të hapur një rrugë të re, atë të realizimit të programit tonë konkret, që i jep fund shpopullimit të Shqipërisë përmes politikave që mbështesin e fuqizojnë familjen dhe çiftet e reja, përmes dyfishimit të pensioneve dhe pagave, përmes dyfishimit të mbështetjes për arsimin, me qëllim fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe të rinjve tanë”, tha Meta.

Meta tha se “ky është së pari një koalicion vlerash, në themel të të cilit qëndron  patriotizmi, mbrojtja e familjes dhe shoqërisë nga sorosifikimi, por edhe modeli ekonomik që mbështet prodhimin vendas dhe fuqizon eksportet”.

Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se “Partia e Lirisë do të përfaqësohet në bazë të mandateve të fituara në Prill 2021, por objekti ynë nuk mund të jetë vetëm ky”.

“Partia e Lirisë duhet dhe do të ketë një grup parlamentar dyshifror në mënyrë që koalicioni ynë të ketë votat e nevojshme kushtetuese për të realizuar reformat e mëdha që garantojnë dhe mundësojnë Shqipërinë Madhështore”, tha Blushi.

“Ndaj është e nevojshme dhe e domosdoshme të mbështesim të gjithë kandidatët tanë në çdo qark dhe së bashku me shqiptarët e diasporës të hapim dyert e një projekti që shqiptarët jo vetëm nuk e kanë njohur kurrë më pare, por mezi e presin prej 12 vitesh”, u shpreh Blushi.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›