“11 maji votë për Europën”, Rama: Dash Sula të dezinfektohet dhe ti bashkohet Partisë Socialiste

Kryeministri Edi Rama hapi fushatën elektorale në qarkun e Elbasanit, duke kërkuar votën e qytetarëve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda 5 vitesh.
Gjatë prezantimit të kandidatëve në këtë qark, lideri i mazhorancës vuri në dukje se me Komisionin Evropian është dakordësuar një kalendar që Shqipëria të mbyllë negociatat e të gjithë kapitujve të integrimit deri në vitin 2027, duke kërkuar një fitore të thellë më 11 maj si nevojë për të vazhduar reformat.
“Këtu s’ka rëndësi fare, jo më pëlqen Edi Rama, s’më pëlqen Edi Rama, jo po se ke rrugën time, kanali nuk u bë se u bë kanali i atij tjetrit, jo po se Arifi nuk më foli kur kaloi te liqeni”. Këto janë të gjitha shumë të rëndësishme, por ama këto nuk janë asgjë në krahasim me këto që po flas, sepse ky është shpëtimi ynë kombëtar. Është shpëtimi kombëtar nga hijet e historisë tonë”, tha Rama.
Kryesocialisti Rama kërkoi votën e qytetarëve edhe si garanci për SPAK-un, duke theksuar se është Partia Socialiste mbështetësja më e fortë e SPAK-ut.
“Po vjen 11 maj, ne i themi shqiptarëve votoni këtu që shpatën të vazhdojë ta ketë drejtësia dhe të mos vijë ta marrë pushteti politik prapë sepse nga ana tjetër, këneta i thotë nëpërmjet bufit dhe gjithë kukumjaçkave i thotë, ne në datën 12 do çlirojmë Tik-Tok dhe do shkrijmë SPAK-un”, u shpreh ai.
Nga Elbasani, Kryesocialisti Rama ftoi deputetin aktual Dashnor Sula, i cili nuk do të garojë më me PD, t’i bashkohet ekipit të PS-së.
“Dash Sula duhet të hyjë në një proces, se mund të jetë një ditë edhe Dash Sula, por për momentin duhet të dezinfektohet. Duhet të dezinfektohet, si bëhen ato, kush merret këtu me pula, që futen në karantinë shpendët, se mbajnë shumë shpendët nga këto. Ai është, inat mund ta kesh sa të duash, por hakun duhet t’ia japësh se me thënë të drejtën, aty një njeri me ulërime përditë për komunitetin e vetë, e për miletin atje, s’e kanë ata një të dytë aty si ai, por duhet të heqë gjithë morrat e kënetës”, deklaroi Rama.
Ndërkaq, më herët, Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në Tiranë me socialistët e Njësisë nr. 7 në kryeqytet, kritikoi fletën e votimit, e cila është e madhe si asnjëherë më parë.
“Ato fletët e votimit ishin një qamet i madh. ǒishin ato? Ai ishte si libër, katastrofë. Ne duhej ta kishim bërë si italianët, shëno emrin. Ke partinë, aty më stilolaps shëno emrin. Të kujtohet kur e bëri motra ime ‘Giorgia’? Kandidatët i kanë të varur aty në qendrën e votimit. Tmerr ca ishte ajo. Ajo ishte qendër votimi më vete”, nënvizoi kryesocialisti.
Një ditë më parë, KQZ miratoi fletën e votimit, e cila për qarkun e Tiranës ka 539 emra të kandidatëve për deputet.
/vizionplus.tv