E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

​110 vjetori i krijimit të Forcave të Armatosura, Begaj: FA, sot një forcë moderne dhe anëtare e NATO

Presidenti ,Bajram Begaj, ka përshëndetur 110-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura. Në një postim në Facebook, Begaj shkruan se në këtë 110-vjetor të themelimit, FA vijnë si një forcë moderne, anëtare e NATO-s dhe aleate e besueshme, e aftë të përmbushë misionin e saj kushtetues dhe detyrimet Euro-Atlantike, e angazhuar në një sërë misionesh në mbrojtje të paqes dhe sigurisë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon e në botë.

“Përjetë mirënjohës arkitektëve të pavarësisë, të cilët në ato ditë të vështira, kur vihej në pikëpyetje ekzistenca e shtetit të sapoformuar, me guxim, mençuri dhe atdhetarizëm të lartë, themeluan një nga shtyllat e domosdoshme të garantimit të pavarësisë së shtetit Shqiptar.

4 dhjetori i vitit 1912 shënoi themelimin Forcave të Armatosura në historinë e shtetit dhe kombit tonë. Rrugëtimi 110 vjeçar i Forcave të Armatosura ka qenë i vështirë dhe i mbushur me sfida. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë vijnë sot në këtë 110-vjetor të themelimit, si një forcë moderne, anëtare e NATO-s dhe aleate e besueshme, e aftë të përmbushë misionin e saj kushtetues dhe detyrimet Euro-Atlantike, e angazhuar në një sërë misionesh në mbrojtje të paqes dhe sigurisë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon e në botë.

Arritjet e deritanishme janë rezultat sa i përkushtimit dhe mundit të përbashkët, aq edhe i mbështetjes së vyer e të pazëvendësueshme të miqve dhe aleatëve tanë të NATO-s. Mirënjohja dhe vlerësimi ynë është maksimal për ndihmën e dhënë për transformimin, modernizmin, trajnimin, edukimin dhe rritjen e kapaciteteve tona ushtarake, falë bashkëpunimit tonë të ngushtë në tre dhjetëvjeçarët e fundit.

Në një kohë me sfida të shtuara ndaj sigurisë dhe paqes, është i domosdoshëm më shumë përkushtim, përgjegjshmëri dhe angazhim i pakursyer nga të gjithë ne. Jam i bindur se angazhimi dhe detyrimi ynë do të vijojë të mbetet i shenjtë ndaj Atdheut, Nderit dhe Detyrës! Gëzuar 110-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura!” shprehet Begaj.

Forcat e Armatosura u krijuan më 4 dhjetor të vitit 1912.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›