113-vjetori i Pavarësisë, festë me këngë dhe valle popullore në Vlorë

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Qyteti i Vlorës është sot në festë për të kujtuar ngjarjen historike të shtetit shqiptar, 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga koncerti i organizuar në sheshin e Flamurit në Vlorë, ku ansamble nga trojet shqiptare interpretuan këngë dhe valle popullore.
Mijëra qytetarë nga Vlora, qytete të tjera të vendit, por edhe nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut po qëndrojnë sot në qytetin bregdetar për të festuar këtë festë të madhe mbarëshqiptare.
Pas ceremonisë së ngritjes së Flamurit nga autoritetet e larta shtetërore qytetarët vizituan Muzeun Kombëtar të Pavarësisë si dhe ndoqën koncertin në Sheshin e Flamurit, me pjesëmarrjen e trupave artistike popullore nga Vlora, Shkupi, Gostivari, Vitia, Rogova, Deçani, Ulqini, Dibra etj.
Artistët e veshur me veshjet popullore të krahinave të tyre përcollën emocione me interpretimet e tyre të folklorit shqiptar.
Atmosfera festive vijon sot në të gjitha rrugët dhe sheshet e qytetit të Vlorës.
/k.s/a.f/r.e/