12 Maji, Dita Ndërkombëtare e Infermierëve

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Dita Ndërkombëtare e Infermierëve festohet çdo 12 maj, si një ditë kushtuar vlerësimit të rolit dhe kontributit të infermierëve në shoqëri dhe në sistemin shëndetësor.
Kjo datë përkon me ditëlindjen e Florence Nightingale, e lindur më 12 maj 1820, e konsideruar si themeluesja e infermierisë moderne.
Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit mbi rolin vendimtar që infermierët luajnë në kujdesin ndaj pacientëve, mirëqenien dhe sigurinë shëndetësore. Në këtë kuadër, institucione shëndetësore dhe organizata të ndryshme, edhe në Shqipëri, organizojnë aktivitete dhe ceremoni vlerësimi për përkushtimin e tyre.
Florence Nightingale u bë e njohur gjatë Luftës së Krimesë, ku trajtonte ushtarët e plagosur dhe kontribuoi në përmirësimin e kushteve sanitare në spitale. Ajo mori nofkën “Zonja me llambë”, pasi kujdesej për të sëmurët gjatë gjithë natës.
Dita Ndërkombëtare e Infermierëve u shpall zyrtarisht në janar të vitit 1974 dhe prej atëherë përkujtohet çdo vit më 12 maj në mbarë botën.
/e.i/r.e/a.f/