“12 të mitur të izoluar në një ministri!”- Avokati i Popullit: 215 persona të privuar nga liria të kontaktuar në 72 orë! Kushtet në komisariate, të papranueshme, civilë të pa identifikueshëm dhe dhunë
Avokati i Popullit, Endri Shabani, ka bërë publike gjetjet e monitorimit të kryer nga ekipet e institucionit gjatë 72 orëve të fundit, pas protestave në Tiranë.
Shabani bëri me dije se janë kontaktuar 215 persona të privuar nga liria, ndërsa janë evidentuar ankesa për dhunë gjatë shoqërimit, mungesë të kujdesit mjekësor dhe punonjës policie me veshje civile, pa shenja identifikuese.
Gjatë deklaratës së tij, Shabani theksoi se ekipet e Avokatit të Popullit kanë qenë në terren në komisariatet 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6 në Tiranë, në Bllokun e Sigurisë, në Spitalin e Traumës, si dhe në komisariatet e Korçës dhe Vlorës.
Shabani deklaroi se një pjesë e ankesave lidhen me punonjës policie që kanë qenë me veshje civile dhe pa shenja identifikuese. “Pjesa tjetër e ankesave lidhet me dhunën gjatë shoqërimit, mungesën e kujdesit mjekësor dhe kalimin e afateve për masën e sigurisë, të cilat janë të përcaktuara në Kushtetutë”, u shpreh ai.
Shabani bëri me dije se institucioni po verifikon dëshmi për rreth 12 të mitur që janë mbajtur të izoluar në ambientet e një ministrie.
“Të miturit i kemi prioritet dhe kemi kontaktuar çdo të mitur që është ndaluar dhe është mbajtur në komisariatet e Tiranës. Kemi monitoruar gjithashtu të miturit e ndaluar në Korçë. Komisionet kanë administruar deklarimet e tyre, të dhënat e dhëna para psikologes në Spitalin e Traumës apo deklarimet në prani të prindërve. Po verifikojmë dëshmi për rreth 12 të mitur që janë mbajtur të izoluar në ambientet e një ministrie. Rasti po verifikohet”, tha ai.
Gjatë inspektimeve në komisariate, Shabani tha se ekipet e Avokatit të Popullit kanë konstatuar se ambientet ishin mbi kapacitetet, ndërsa kushtet në Bllokun e Sigurisë janë cilësuar të papranueshme.
“Në të gjitha komisariatet e inspektuara, ambientet kanë qenë mbi kapacitetet. Kushtet në Bllokun e Sigurisë janë të papranueshme. Kemi gjetur të arrestuar që flenë dy vetë në një shtrat ose mbi sfungjerë në dysheme. Mungojnë batanijet dhe ngrohja. Uji i pijshëm sigurohet vetëm nga familjarët. Mungojnë mjetet e nevojshme higjienike dhe shërbimi mjekësor është i pjesshëm përballë kërkesave të shumta”, deklaroi Shabani.
Në përfundim, Avokati i Popullit kërkoi nga Policia e Shtetit identifikimin e plotë të punonjësve në çdo operacion dhe ndarjen e të miturve nga të rriturit në çdo rast.
Ndërsa nga Ministria e Brendshme kërkoi përmirësimin e menjëhershëm të kushteve në Bllokun e Sigurisë, duke përfshirë furnizimin me ujë, ushqim, shtretër, ngrohje, mjete higjienike dhe garantimin e shërbimit mjekësor në çdo kohë.
Avokati i Popullit, Endri Shabani: Kushtetuta e ka kufizuar mandatin e Avokatit të Popullit dhe të Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës vetëm në monitorim, dokumentim të së vërtetës dhe në nxjerrjen e rekomandimeve. E theksoj këtë, sepse Kushtetuta nuk na ka mundësuar të marrim masa të drejtpërdrejta ndaj nëpunësve publikë kur ata abuzojnë me detyrën. Për këtë, Kushtetuta dhe ligji kanë parashikuar institucione të tjera, të cilat i kanë pajisur me kompetenca ligjore dhe burime materiale për ta realizuar këtë qëllim.
Në këtë kuadër, në 72 orët e fundit, ekipet tona kanë qenë në terren. Kanë qenë të pranishme në komisariatet 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6 në Tiranë, në Bllokun e Sigurisë, në Spitalin e Traumës, si edhe në komisariatet e Korçës dhe Vlorës. Në 72 orët e fundit, kemi kontaktuar 215 persona të privuar nga liria. Kemi biseduar në mënyrë konfidenciale me të shoqëruar, të arrestuar, të dënuar, mjekë dhe psikologë.
Në Spitalin e Traumës, më 14 dhe 15 tetor, kanë marrë shërbim rreth 128 persona: 86 punonjës policie, 38 protestues dhe 5 të mitur. Një pjesë e mirë e tyre i kemi kontaktuar, i kemi intervistuar dhe kemi administruar ankesat që ata kanë pasur. E drejta për tubim paqësor është e garantuar nga Kushtetuta. Protestuesit duhet ta ushtrojnë atë në mënyrë paqësore, kështu që ne duhet të theksojmë se dënojmë çdo akt dhune.
Dënojmë dhunën ndaj policëve, ndaj protestuesve, si dhe dëmtimin e pronës publike dhe private, përfshirë bizneset. Policia ka të drejtë dhe detyrim të përdorë forcën kur është e domosdoshme, në masë proporcionale. Çdo punonjës që ushtron forcë duhet të jetë i identifikueshëm. Identifikimi, në fakt, mbron edhe qytetarin nga abuzimi, por edhe policin nga akuzat e pabazuara.
Ankesat që ne kemi marrë këto ditë lidhen me punonjës policie të cilët kanë qenë me veshje civile, pa shenja identifikuese. Kjo çështje po shqyrtohet me prioritet dhe po verifikohet se kush kanë qenë këta punonjës, kush i ka urdhëruar dhe cili ka qenë qëllimi. Pjesa tjetër e ankesave lidhet me dhunën gjatë shoqërimit, mungesën e kujdesit mjekësor dhe kalimin e afateve për masën e sigurisë, të cilat janë të përcaktuara në Kushtetutë.
Të miturit i kemi prioritet dhe kemi kontaktuar çdo të mitur që është ndaluar dhe është mbajtur në komisariatet e Tiranës. Kemi monitoruar gjithashtu të miturit e ndaluar në Korçë. Komisionet kanë administruar deklarimet e tyre, të dhënat e dhëna para psikologes në Spitalin e Traumës apo deklarimet në prani të prindërve. Po verifikojmë dëshmi për rreth 12 të mitur që janë mbajtur të izoluar në ambientet e një ministrie. Rasti po verifikohet.
Çfarë kemi vëzhguar vetë, drejtpërdrejt? Në të gjitha komisariatet e inspektuara, ambientet kanë qenë mbi kapacitetet. Kushtet në Bllokun e Sigurisë janë të papranueshme. Kemi gjetur të arrestuar që flenë dy vetë në një shtrat ose mbi sfungjerë në dysheme.
Mungojnë batanijet dhe ngrohja. Uji i pijshëm sigurohet vetëm nga familjarët. Mungojnë mjetet e nevojshme higjienike dhe shërbimi mjekësor është i pjesshëm përballë kërkesave të shumta. Në një rast, shërbimi shëndetësor ishte vonuar përtej asaj që është e arsyeshme dhe përtej afateve të përcaktuara nga kërkesat ligjore. Kemi evidentuar të mitur të ndaluar që janë marrë në pyetje pa praninë e prindit ose kujdestarit dhe të psikologut. Kjo nuk përputhet me kërkesat e ligjit dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.
Kemi parë persona me shenja të dukshme dhune që mbahen të ndaluar. Për 26 persona në Bllokun e Sigurisë, pretendimet dhe shenjat janë pasqyruar në procesverbalet e konstatimit dhe po hetohet çdo rast. Librat e evidentimit të të shoqëruarve kishin mangësi në regjistrimin e plotë të informacionit.
Për sa më sipër, kërkojmë nga Policia e Shtetit identifikimin e plotë të punonjësve në çdo operacion dhe ndarjen e të miturve nga të rriturit, në çdo rast dhe gjatë gjithë kohës. Nga Ministria e Brendshme kërkojmë përmirësim të menjëhershëm të kushteve në Bllokun e Sigurisë: ujë, ushqim, shtretër, ngrohje, higjienë dhe mjek në çdo kohë.
Në mbyllje, dua ta përsëris edhe një herë thirrjen, çdo person që ka pësuar dhunë ose dëm, t’i drejtohet Avokatit të Popullit.