E Hënë, 2 Nëntor 2026

13 autoambulanca të reja i shtohen Urgjencës Kombëtare, Sala: Janë një “mini-reaminacion”. Forcojmë reagimin jetëshpëtues

Flota e Urgjencës Kombëtare u pasurua me 13 autoambulanca të reja, të cilat synojnë të përmirësojnë reagimin në kohë reale dhe ofrimin e kujdesit jetëshpëtues në të gjithë vendin.

Në ceremoninë e inaugurimit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, theksoi se ndihma e parë e dhënë në kohë mbetet elementi më i rëndësishëm për shpëtimin e jetës së pacientëve. Ajo bëri të ditur se gjatë sezonit veror janë në funksion 36 qendra shëndetësore verore, të pajisura me medikamentet dhe shërbimet e nevojshme.

Sala shtoi se çdo autoambulancë funksionon si një “mini reanimacion”, duke ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme për stabilizimin e pacientit deri në mbërritjen në spital.

Sipas ministres, vetëm gjatë javës së fundit rreth 12 mijë turistë kanë marrë shërbim në këto qendra, ndërsa një e katërta e tyre kanë qenë turistë të huaj. Sala nënvizoi gjithashtu rëndësinë e koordinimit mes qendrave shëndetësore, Urgjencës Kombëtare dhe spitaleve për garantimin e një shërbimi sa më efikas.

“Ndihma e parë e dhënë në kohë është momenti më i rëndësishëm, sepse shpëton jetën e pacientit. Gjatë sezonit veror kemi në funksion 36 qendra shëndetësore verore, të pajisura me medikamentet dhe shërbimet e nevojshme. Vetëm gjatë javës së kaluar, rreth 12 mijë turistë kanë marrë shërbim shëndetësor, ndërsa një e katërta e tyre kanë qenë turistë të huaj. Koordinimi mes qendrave shëndetësore, Urgjencës Kombëtare dhe spitaleve është thelbësor për një sistem shëndetësor që funksionon dhe u ofron qytetarëve shërbimin e duhur në kohën e duhur”, tha Sala.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi se të 13 autoambulancat janë të pajisura me të njëjtat standarde dhe nuk u mungon asnjë pajisje e nevojshme mjekësore. Ai tha se mjetet kanë autonomi funksionimi nga 15 deri në 20 orë dhe mund të operojnë në çdo zonë të Shqipërisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›