“Kosova” e Buxhovit nuk ndalet

Pas promovimeve të suksesshme të këtyre ditëve në Shkup e Tetovë, me ç'rast brenda një kohe relativisht të shkurtër "u rrëmbye" i gjithë tirazhi i sjellë nga Prishtina, për tre vëllimet e librit “Kosova” interesim të jashtëzakonshëm po shfaqin edhe qendrat e tjera shqiptare në Maqedoni (si Dibra, Kërçova e Struga), ku së shpejti pritet të bëhen promovime të librit.
Krahas Maqedonisë, "Kosova" ka nisur të kërkohet me të madhe edhe në Shqipëri, veçmas nëpër libraritë e Tiranës, të Durrësit e të Shkodrës. Atje tashmë kanë arritur ekzemplarët e parë, ndonëse kjo sasi është larg numrit të madh të kërkesave. Kjo ka shtyrë botuesit, Faik Konica dhe Jalifat Publishing, që këtyre ditëve të fillojnë me shtypjen e botimit të tretë (prej 3,600 kopjesh), i cili pritet të dalë në shitje brenda dhjetë ditësh. Pjesa më e madhe e botimit të tretë, sipas autorit, do t'iu dedikohet tregjeve në Maqedoni dhe Shqipëri.
Me qëllim që të përmbushen edhe kërkesat gjithnjë e më të mëdha që vijnë edhe nga diaspora, botuesit kanë paraparë që brenda këtyre tre muajve "Kosova" të ketë edhe një botim për jashtë vendit, si dhe dy botime të tjera për nevojat e tregut të Kosovës.