E Diel, 1 Nëntor 2026

18 organizata kërkojnë shtimin e një neni për trashëgiminë kulturore në Kodin Penal, Shehu: Dënime më të ashpra për shkatërruesit

Arlinda Shehu, menaxhere e “Cultural”, gjatë një interviste në emisionin “Në kohë reale” të moderuar nga Flori Gjini, ngriti alarmin për vjedhjet e vazhdueshme të monumenteve dhe objekteve të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, duke theksuar nevojën urgjente për ndryshime ligjore.

Sipas Shehut, vjedhjet e objekteve kulturore janë një problem i përsëritur dhe ende pa zgjidhje konkrete.

“Mendoj se pas viteve ’90 kemi filluar të humbasim identitetin kombëtar. Nuk jemi fanatikë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, përndryshe nuk do të kishim kaq shumë masakra ndaj saj,” – u shpreh Shehu.

Ajo shprehu mendimin se ”emigrimi masiv ka ndikuar në zbehjen e lidhjes me identitetin kombëtar”, duke shtuar se shpesh janë të huajt ata që na rikujtojnë vlerat dhe bukuritë kulturore që zotërojmë.

Një nga problematikat kryesore të ngritura ishte mungesa e një neni të posaçëm në Kodin Penal për ndëshkimin e individëve që kryejnë gërmime ilegale me detektorë metalesh.  Sipas Shehut, kjo mungesë ligjore shërben si justifikim për autorët e këtyre veprimeve, pasi nuk ekziston një bazë e qartë për ndëshkimin e tyre.

“Nuk ekziston një nen i posaçëm në Kodin Penal për të akuzuar individët që kryejnë gërmime ilegale me detektorë. Një nga kërkesat tona kryesore ka qenë që në Kodin Penal të përfshihet edhe ndalimi i gërmimeve të tilla, i cili aktualisht mungon. Kjo mungesë ligjore shërben si një justifikim shumë i fortë për ata që kryejnë gërmime, pasi nuk ka një bazë të qartë ligjore për ndëshkimin e tyre. Në momentin që ky nen të përfshihet në Kodin Penal, nuk do të ketë më asnjë justifikim për të mos i akuzuar apo dënuar shkelësit”, tha ajo.  

/rtsh.al/                                        

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›