2-vjetori i luftës në Ukrainë; Veliaj: Gjithmonë pranë popullit ukrainas, javën tjetër Tirana bujare mikpret presidentin Zelensky

Zyrtarë shqiptarë e të huaj si dhe qytetarë, u bënë bashkë sot në një manifestim për Ukrainën, teksa shënohen dy vjet qëkurëse nisi agresioni rus.
Ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov vlerësoi mbështetjen e popullit shqiptar në ditët e vështira të luftës.
“Falenderoj Bashkinë e Tiranës për ndihmën që kanë dhënë në rindërtimin e shkollës nr. 5 në Kharkiv. Uroj dhe ukrainasit që jetojnë në Shqipëri. Jam mirënjohës për qeverinë shqiptare që ka zgjatur rezidencën e tyre dhe mbrojtjen për këta qytetarë që ishin të detyruar të lënë atdheun e tyre”, tha ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov
I ngarkuari me punë i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, David Wisner dhe Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato vlerësuan rolin e Shqipërisë edhe në Këshillin e sigurimit sa i takon pozicionimit ndaj luftës.
“Nga roli si bashkë-mbajtës në Këshillin e Sigurimit, tek të qenit një partner i vërtetë i Ukrainës sa i përket gjithë mbështetjes së madhe humanitare, Shqipëria ka qenë një partner fenomenal i popullit ukrainas”, tha i ngarkuari me punë në ambasadën e SHBA në Tiranë, David Wisner.
“Më vjen mirë që shoh kaq shumë njerëz që janë mbledhur sërish këtu në Tiranë për të vazhduar për të treguar solidaritetin me Ukrainën dhe popullin e saj”, u shpreh Silvio Gonzato, ambasador i BE në Tiranë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se është i lumtur që Bashkia e Tiranës po ndihmon në rindërtimin e shkollave në Ukrainë.
“Jam krenar që sot BE, SHBA, vendet anëtare të NATO-s, gjithë kolegët që janë këtu, i është bashkuar edhe një pjesë e jashtëzakonshme e komunitetit të qytetarëve të Tiranës, për të cilët jam shumë mirënjohës. Sepse besoj që kjo nuk është një punë e atyre që merren me politikë dhe diplomaci. Kjo është puna dhe një detyrim moral e çdo qytetari evropian. E çdo njeriu që nuk i ka të largëta kujtimet kur ne kemi qenë në një agresion të tillë, as të kohës së komunizmit, as të luftës në Kosovë”, tha Veliaj.
Javën e ardhëshme, në Tiranë do të mbërrijë edhe presidenti Volodimir Zelensky. /vizionplus.tv