20 vjet në policinë e shtetit, Dashurie Hoxha mbështetje për viktimat e dhunës

Dashurie Hoxha prej 20 vitesh është pjesë e Policisë së Shtetit në Zyrën për Mbrojtjen e të Miturve dhe denoncimin e rasteve të dhunës në familje. Ajo shprehet se vendosi të bëhej pjesë e uniformave blu në vitin 2006 në Kukës për t’u ardhur në ndihmë grave dhe pavarësisht sfidave dhe vështirësive, ka punuar me përkushtim në këtë profesion.
“Më lindi një dëshirë e madhe si femër që të punoj në Policinë e Shtetit. Puna ime në fillim nuk ka qenë e lehtë, ka qenë e vështirë edhe për shkak të mentalitetit të zonës”, tregon ajo.
Me punën e saj i është gjendur pranë viktimave të dhunës në çdo orar, duke dhënë mbështetje për çdo grua.
“Kam dalë natën, kam dalë ditën, në çdo orar. Gratë ndjehen shumë të sigurta kur shohin një grua në polici”, thotë Dashurie Hoxha.
Ajo tregon se vit pas viti rastet e dhunës po shtohen, por po rritet edhe ndërgjegjësimi i viktimave për të denoncuar rastet në polici.
Dashurie Hoxha thekson se, edhe pse puna e saj është e përqendruar në pritjen e denoncimeve, ajo thekson se edhe vështirësitë në terren janë të shumta, gratë në polici ia dalin mbanë dhe realizojnë detyrat me profesionalizëm.
Në përfundim, ajo u bën thirrje çdo vajze apo gruaje që dëshiron të bëhet pjesë e Policisë së Shtetit që ky profesion duhet të shikohet si një mision për të qenë pjesë e komunitetit.
“Të jenë të guximshëm dhe të mos heqin dorë nga ëndrra për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit”, bën thirrje ajo.
/rtsh.al/