2008-a, pushime vetëm në Shqipëri
Qëndrimi në punë i Kryeministrit Berisha dhe i të gjithë ministrave të kabinetit të tij gjatë verës ka bërë që Ekzekutivi të mos pushojë larg Shqipërisë, por të zgjedhë mes detit Adriatik dhe Jon. I njëjti fat i ka ndjekur anëtarët e kabinetit "Berisha" edhe në mbrëmjen e ndërrimit të viteve, ku asnjë prej ministrave nuk i ka kaluar pushimet e fundvitit jashtë Shqipërisë. Ndonëse administrata zyrtarisht i rikthehet punës më datën 5 janar, një pjesë e mirë e ministrave janë ulur para kohe në karrigen e punës. Moti i keq në Veri të vendit dhe bllokimi i disa akseve rrugore ka risjellë në punë ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, dhe ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Të njëjtin fat ka pasur edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila ka vizituar qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", që në ditën e parë të muajit janar. Nuk mund të thuhet saktësisht nëse portofoli i ministrave ka qenë "bosh" në fundin e vitit 2008, apo dëshira për të qëndruar pranë familjes ka dominuar mbi gjithçka. I sigurt është fakti që asnjë prej anëtarëve të qeverisë nuk e ka kaluar "pragun e shtëpisë" më 31 dhjetor.