E Shtunë, 31 Tetor 2026

“2013 - veprat e qeverisë, pasaportë besimi”

10-11-2012 / Gazeta 55

-- Aleancat e Edi Ramës me fundërrinat, nuk e mundin Sali Berishën. Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se PD-ja po përgatitet për një fitore të thellë. Sipas tij, Edi Rama me gjithë ethet e pushtetit, është i dënuar për të mos qenë lider. Duke folur edhe për zgjedhjet në SHBA, kryeministri evidentoi se qytetarët amerikanë, midis fjalëve zgjodhën veprat. Për Berishën qarku i Fierit është një pretendim vulgar i Edi Ramës për të penguar marrjen e statusit të vendit kandidat në BE

+++

Shefi i ekzekutivit theksoi se mbajtja e premtimeve nga qeveria është pasaporta më e sigurt, për të kërkuar votën e qytetarëve. Berisha tha se votuesit shqiptarë, ashtu siç vendosën edhe ata amerikanë, do votojë për vazhdimin e ndryshimit nën qeverisjen e Partisë Demokratike. Berisha tha se Shqipëria ia doli që në kushtet e krizës ekonomike në eurozonë dhe vendet fqinje, të realizojë rritje pagash dhe pensionesh; nxitjen e investimeve; modernizimin e infrastrukturës; çeljen e vendeve të reja të punës si dhe u faktua si qeveria e uljes së taksave. Sipas kryeministrit, politika e rritjes së pagave dhe pensioneve do vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, sipas parashikimeve në buxhetin e shtetit për vitin 2013-ë. Duke komentuar situatën politike kryeministri tha se bllokimi i statusit kandidat në 100 vjetorin e Pavarësisë së vendit, do ishte një përgjegjësi e madhe për Partinë Socialiste. Ai theksoi se mazhoranca ka një ofertë konkrete opozitën për të çuar në rrugën e zgjidhjes çështjen e qarkut të Fierit. Sipas kryeministrit, votëbesimi i anëtarëve të këshillit të qarkut, është një e drejtë ligjore e bazuar në nenin 32 të ligjit për Qeverisjen Vendore. I pyetur rreth aleancave elektorale, kryeministri Berisha e cilësoi të suksesshëm bashkëpunimin PD-LSI, duke theksuar se “ky koalicioni 4 vjeçar ka realizuar në 4 vjet, ndryshime më të mëdha se në çdo mandat tjetër në historinë 20 vjeçare të këtij vendi”. Deklaratat e kreut të PS-së për koalicionin e ardhshëm opozitar, Berisha i vlerësoi si shprehje dëshpërimi, duke i cilësuar përpjekjet e tij “si i mbyturi që kapet pas fijes së barit për të shpëtuar”

Deklaratat e forta të Kryeministrit gjatë bashkëbisedimit me gazetarët

Bllokimi i 3 ligjeve, përgjegjësi e madhe për Partinë Socialiste

Edi Rama, si i “mbyturi” që kapet pas fijes së barit

PD e përgatitur për një fitore të thellë qershorin që vjen

Rregullorja e Parlamentit, Rama i kompleksuar se s’shpallet dot kryeministër me vota

Rritja e rrogave dhe pensioneve, politikë konstante e qeverisë

Privatizimi i “Albpetrol”, të ardhurat do kthehen në mirësi për qytetarët shqiptarë

Z.Berisha, ditën e enjte është seanca kur duhet kalojnë tre ligjet që janë kushte nga BE për statusin e vendit kandidat. Keni bërë një ofertë për opozitën për Fierin. A ka opsione, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet brenda këtyre ditëve?
Faleminderit për pyetjen. Jam i bindur se mendja, sytë e mbarë shqiptarëve janë të drejtuara tek salla e Parlamentit këtë të enjte që vjen nëse do të votohen këto tri ligje të vendosura si para kushte, në mënyrë që rekomandimi pozitiv i Komisionit Europian të marrë vlerën e plotë. Unë shfrytëzoj rastin edhe njëherë të ftoj z.Rama, të votojmë këto tre ligje, që janë përcaktuese për qëndrimin përfundimtar të Komisionit Evropian ndaj çështjes së statusit të Shqipërisë për vend anëtar. Këto tre ligje, u cituan në mënyrë eksplicite nga komisioneri Fyle si kërkesa, në mënyrë që në raportin që Komisioni do ta bëjë më datën 20 nëntor, të japë informacion për vendet anëtare se Shqipëria plotësoi këto tre kërkesa. A do të votohen ato ditën e enjte? Unë dëshiroj, uroj dhe shpresoj që të votohen. Unë besoj se, do të ishte një përgjegjësi shumë e madhe, para çdo qytetari shqiptar, para ëndrrës Europiane të shqiptarëve, bllokimi në këtë vit të 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë apo votimi kundër faktikisht, në parlamentin shqiptar, për ligjet e kërkuara. Ju keni dëgjuar një ofertë që unë kam bërë ditët e fundit dhe natyrisht në mënyrë absolute, oferta ime ka synuar dhe ka si synim vetëm hapjen e rrugës dhe krijimin e mundësive, për opozitën që të dalë nga orbita bllokuese, në të cilën është pozicionuar. Dua të informoj qytetarët shqiptar se oferta për të votëbesuar secilin nga të paktën 50 anëtarët që i takojnë kësaj shumice të Këshillit të Qarkut, dhe në rast se z. Rama pranon, do të ishte në të mirën edhe të 43 anëtarëve të Partisë Socialiste, që përfaqësojnë koalicionin e saj në Këshillin e Qarkut pra do të ishte zgjidhja më e ndershme politike. Pretendimet se mocioni nuk ekziston si mundësi janë qesharake, janë një mashtrim i mirëfilltë që ju bëhet nga eksponentë socialistë qytetarëve shqiptarë. Së pari neni 32 i ligjit të qeverisjes vendore, përcakton në mënyrë taksative të drejtën e anëtarëve të Këshillave të Komunave dhe Bashkive, për të zgjedhur dhe shkarkuar, anëtarët e Këshillave të Qarkut, dhe për të gjithë ata që njohin forumet e zgjedhura është ”abc” e tyre, e drejta për të zgjedhur dhe shkarkuar përfaqësuesit, të cilëve u delegojnë pushtetin, por nuk është vetëm kaq. Neni 32 është zbatuar, është aplikuar me mocion mosbesimi nga Partia Socialiste dhe duke u bazuar në këtë nen, Partia Socialiste në Komunën e Bubullimës ka shkarkuar me votëbesim përfaqësuesin e kësaj Komune, i cili ishte i mazhorancës dhe ka vendosur anëtarin e Partisë Socialiste ose anëtarët e këshillit të Partisë Socialiste. Partia Socialiste e ka bërë këtë pa asnjë lloj objeksioni nga ana e Partisë Demokratike, sepse nuk na shkon ndër mend që të vëmë në dyshim të drejtën e Këshillave të Bashkive dhe Komunave, për të zgjedhur dhe shkarkuar anëtarët e Këshillit të Qarkut që përfaqësojnë Bashkinë apo Komunën. Partia Socialiste ka mbledhur firmat, 1/3 e firmave i ka legalizuar për mocion mosbesimi në Divjakë, në Bashkinë e Fierit, në Fier-Shegan dhe në Dremenas, por këtu nuk ka arritur të ushtrojë këtë të drejtë, sepse nuk formon kuorumin. Pra për çfarë e siguroj unë z. Rama. Unë e siguroj z. Rama se do të ushtrohet e drejta e mocionit, ndonëse mos-sigurimi i kuorumit është një e drejtë demokratike. Ata nuk duan të paraqiten, nuk duan të marrin pjesë në votim dhe asnjeri në Shqipëri, asnjeri në Ballkan, asnjeri në Evropë nuk e ka shfrytëzuar më keq këtë të drejtë se zoti Rama. Unë e siguroj z. Rama se anëtarët e këshillave të mazhorancës do të paraqiten në çdo takim të kërkuar për mocion dhe ndaj le ta shndërrojmë këtë ne, për të mos penguar vendin, në një mekanizëm që certifikon edhe njëherë të gjithë të zgjedhurit e Këshillit të Qarkut, por është absurde në qoftë se ti mendon se mund të vendosësh dy standarde. Një standard në Bubullimë ku e fitove dhe një standard tjetër në Dermenas ku nuk e fiton dot. Një standard tjetër në Divjakë ku nuk e fiton dot, një standard tjetër në Bashkinë e Fierit ku nuk e fiton dot. Nuk është ky rregulli i qëndrimit ndaj ligjit. Nëse do ligjin, duhet ta njohësh edhe kur produkti i zbatimit të tij është kundra teje. Pra kërkesa ime ishte kërkesë për ti dhënë mundësinë z.Rama të mos lidhë fatin e statusit të Shqipërisë me Qarkun me Këshillin e Qarkut të Fierit, pasi unë jam i bindur se nuk ka qytetar në Fier, të djathtë apo të majtë e pa parti, që pranon të pengohet statusi i Shqipërisë për shkak të Këshillit të Qarkut të Fierit. Por në çdo rast Këshilli i Qarkut të Fierit është një trupë e zgjedhur, jo direkt nga populli, është një trupë e zgjedhur nga Këshilli i Komunës dhe Bashkive të Fierit, ata që të zgjedhin në çdo kohë kanë të drejtë të të shkarkojnë dhe z. Rama e shfrytëzoi plotësisht këtë të drejtë në Bubullimë ku kishte shumicë dhe votoi. Nuk është më shumicë në Divjakë, por megjithatë prova do të ishte që ne, si forca politike, për zgjidhje politike të kërkonim që këshilltarët tanë të jenë të pranishëm dhe të votohet në vullnetin e tyre të lirë për këshilltarin e Bashkisë Divjakë, Komunës Dermenas, e Komunës Fier-Shegan, e Bashkisë Fier, e kudo tjetër të bëjmë një mocion. Nuk ka gjë më të paimagjinueshme se të përdorësh një pretekst të tillë.
Unë ju them shqiptarëve se nga shtatori, fillimi i sesionit parlamentar deri në ditën e djeshme, në parlament janë votuar 29 ligje e marrëveshje dhe nga këto 29 ligje e marrëveshje, 22prej tyre janë votuar me konsensus nga shumica dhe pakica. Si mund të justifikojë një kastë të tillë bllokuese z. Rama, kur ka votuar 22 ligje të tjera? Pra ky është një vullnet shumë i qartë për të bllokuar procesin e integrimit, por përgjegjësinë e merr më të rëndë se ky shekull. Nuk ka përgjegjësi më të rëndë se kjo. Pse do e bllokosh? Urdhëro që në mënyrë ligjore të organizojmë mocione. Pastaj, nëse ti kërkon të mbash shumica që nuk i ke, jo more zotëri! Këshillat e Komunave dhe të Bashkive nuk janë kryesitë e partisë tënde që ti i ndërton sipas qejfit tënd, ato dalin me votë të lirë dhe vota e tyre është numëruar më elektronikë dhe me sy, nuk është gatuar siç gatove një javë e dhjetë ditë votat e asamblistëve. Është situatë krejt tjetër. Uroj që t’i votojë. Më është kërkuar që pas fjalimit kryesor të Kryeministrit, të mund të pranohet të ndryshohet Rregullorja dhe ta marrë fjalën kryetari i opozitës. Plotësisht dakord! Dhe jo 2 minuta siç parashikon Rregullorja, por 10 minuta. Dhe kjo u konsiderua kompromis. Tani Z. Rama thotë jo. U largua prej tij dhe e pranoi. Për fat të mirë kësaj radhe, ata që e propozuan ishin përfaqësues të institucioneve të tjera jo shqiptare dhe unë e pranova. Tani z. Rama thotë jo sepse sipas tij duhet të shpallim dy kryeministra. Kjo nuk mund të ndodhë. Ka një protokoll dhe në demokracitë më të vjetra të Evropës, ky protokoll e vendos kryetarin e opozitës në nivel ministri dhe këtu e kemi vendosur edhe ne duke marrë atë shembull. Dy kryeministra nuk mund të vendosë kush as me Kushtetutë, as me Rregullore. Jua thashë në Parlament, imagjinoni që në tetë vitet e qeverisë së tyre të kisha qenë unë kryeministri i dytë. E kuptoni vetë ju sesi do të dukeshin ata. Por kjo nuk lejohet. Pavarësish se unë isha ish-president, unë vendin e kisha kryetar opozite dhe e respektoja. Ç’është kjo ethe e tmerrshme e tij për tu shpallur kryeministër me ligj dhe jo me vota? Ai harron se kjo e dëmton, nuk e ndihmon, ia largon dhe votat. Ju garantoj që po. Se e keni vënë re, që sapo del tani thotë “ Unë, kryeministri i ardhshëm”. Mirë të paktën rri me të tashmën se i ardhshëm duket si reja në horizont që ikën e largohet. Kjo është e tëra. Kur të kapin ethet, se unë jam mjek dhe janë shumë problematike dhe këtë e kanë kapur ethet e pushtetit dhe e vërteta është se nuk di çfarë bën. Të orientohet e ka të vështirë.
 
Muaji nëntor është muaji i 100 vjetorit të pavarësisë, por lidhet edhe me emrin e Kryeprokurorit të Përgjithsëm. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike a po negocion me Kreun e Shtetit për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm?
E kam theksuar se në Kushtetutën e Shqipërisë kjo është kompetencë e ekskluzive e Presidentit të Republikës. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka bindjen se Presidenti do të përzgjedhë një personalitet apo personalitete, me integritet, me eksperiencë dhe natyrisht të fushës së pushtetit gjyqësor. Po të ishte për mua, unë do të kisha bërë zgjedhjet e mia. Unë jam kryeministër. Nuk më përket mua ajo.
 
Lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm, rritja ekonomike më e ulët se parashikimet, e ka bërë më të mprehtë problemin e menaxhimit të borxhit dhe ju shtron para dy alternativave. Një politikë fiskale shtrënguese edhe për vitin e ardhshëm,  me qëllim mbajtjen sa më të ulët të difiçit dhe borxhit në funksion të stabilitetit makro ekonomik ose alternativa tjetër, një politikë fiskale me agresive për ti dhënë ekonomisë një nxitje por duke marrë përsipër riskun e një borxhi më të lartë që në këto kohë nuk është risk i papërfillshëm. Ju cilën alternativë do të përzgjidhni?
 
Lidhur me buxhetin, sërish ky buxhet do të jetë buxheti më i madh në historinë e këtij vendi dhe kjo është dëshmia më e qartë e performancës ekonomike. Përsa i përket rritjes ekonomike vjetore, unë e di që ju keni dëgjuar shifra të ndryshme dhe natyrisht keni konsideruar, ose keni pasion të citoni më së shumti shifrat e institucioneve të huaja. Dakord. Vetëm se si gazetar i një televizioni tashmë të profilizuar në problematikën ekonomike, unë do t’ju kërkoja njerëzisht, të bëni një kontroll të shifrave të shpallura nga të tjerë dhe ato të qeverisë shqiptare në ato të 2-3 viteve të fundit. E vërteta është se rritja ekonomike në secilin vit, ka rezultuar në fund të vitit, të jetë dy ose trefish i vlerave të shpallura nga institucionet ndërkombëtare. Në qoftë se ju ndoqët dy institucionet më të serioze, FMN dhe BB, që të dyja dhanë parashikimet, që dallojnë 50% nga njëra-tjetra. Tani, cila është e vërteta? E vërteta është se vlera e rritjes, e shifrës së rritjes, është një vlerë relative. Por përsëri, unë jam shumë i bindur, se ky vit do të mbyllet me një vlerë shumë të përafërt me atë që kemi shpallur ne buxhetin e dhjetorit që shkoi. Ku e bazoj unë këtë bindje. E bazoj këtë bindje sepse siç e keni parë, rritja e tremujorit të dytë të këtij viti ishte katër herë më e madhe se rritja e tre mujorit të parë të këtij viti dhe në mënyrë më evidente, tremujori i tretë i këtij viti, kulmoi me një fluks turistik të paparë pra ishte një tremujor që pati një zhvillim ,ose pati një intensitet të madh të shkëmbimeve ekonomike në tërësi. Unë besoj se fakti që tetë mujori në tërësi, u mbyll me 25.6 % rritje të shitjeve në tërësi, dëshmon se tremujori i tretë, ka qenë ose duhet të ketë qenë shumëfish i tremujorit të dytë, pra unë nuk mund të them se do të jetë pikë për pikë sa ç’kemi parashikuar, por mund të them se mund të jete shumë e përafërt me parashikim.
Vitin që vjen ne jemi zotuar të qëndrojmë në një borxh publik rreth  60%, plus minus 2%. Këtij zotimi ne do i përmbahemi, por tani në qoftë se duam të hyjnë në doktrinë, personalisht jam i bindur se, duhet të shmangim gjer në in-ekstremis ato masa që cenojnë rritjen ekonomike. Çfarë ndodh me këtë praktikën e quajtur të osteritetit. Kjo praktikë, në asnjërin nga këto vendet që po i nënshtrohet dhe që janë të detyruara ti nënshtrohen se nuk  paguajnë dot borxhin, jo vetëm që nuk po ndihmon të dilet nga recensioni, por po thellon më tej recensionin sepse sa më shumë të presësh shpenzimet, natyrshëm aq më tepër ti cenon ndikimin e komponentit publik në rritjen ekonomike dhe në qoftë se rritja nuk dëmtohet, dëmtohet  ekonomia në tërësi. Pra krijon një rreth vicioz. Disa muaj më parë Mario Monti, i cili është absolutisht një nga ekonomistët më të shquar kërkoi të operohej me një rreth virtuoz. Dhe cili ishte rrethi virtuoz që propozoi Monti? Monti propozoi, që rreth 70 miliard euro detyrime ndaj kompanive të ndryshme, tu jepet me terma tregtare, pa u kalkuluar si rendim borxhi në mënyrë që të ndikohet mbi-  prodhimi. Tani imagjino në qoftë se një mekanizëm financiar shkatërron biznese efiçente se çfarë dëmi kolosal i bën ekonomisë. Ndaj nuk mund të jem kurrë për ato masa, të cilat dëmtojnë rritjen ekonomike. Kjo e para. Së dyti, sot ka një debat të madh mbi taksat dhe nivelin e tyre. Ky debat është me spektër të gjerë, nga taksa e Spiro Kolekës, që do të kthejë Edi Rama nën programin e Partisë Socialiste, taksë e cila çoi shqiptarët dhe rrënoi me shpejtësi të rrufeshme atë që mund ta quajmë borgjezi shqiptare, e cila me sipërmarrjen e saj krijonte të mirat materiale dhe dihet ku përfundoi Shqipëria, tek taksa që prekin disa nivele më të larat dhe përjashtojnë nivele të tjera. Sot ka një përpjekje të madhe për të gjetur se çfarë qëndrimi duhet mbajtur ndaj taksave. Ku qëndron qeveria jonë. Ne besojmë tek taksat e ulëta dhe do të bëjmë gjithçka, që të lehtësojmë barrën fiskale të sipërmarrjes. Kur deklaron se nuk do të pranojmë masa që kërcënojnë rritjen, dhe këtu natyrisht është kontributi i sektorit publik, jam shumë i vetëdijshëm se këto masa nuk mund të jenë lider dhe përcaktuese. Lider dhe përcaktuese në ekonomi është sektori privat ndaj dhe ne këtu kemi filluar të lehtësojmë barrën fiskale. Ne hoqëm TVSH-në për të gjitha makineritë, vendosëm njëherë një prag 500 mijë euro, por biznesi fason dhe biznese të tjera u drejtuan, se nga kjo ne nuk përfitojmë fare. Hoqëm TVSH-në për ndërtimin e hidrocentraleve, për çimenton dhe çelikun, dhe po studiojmë rast pas rasti, ku ne mund të ndikojmë në lehtësimin e biznesit. Nuk them se këto qëndrime janë 100% të sigurta në efektin e tyre, por një gjë është 100% e sigurt, se në qoftë se Shqipëri nuk ra në recension, siç thotë dhe FMN dhe Komisioni Evropian  e të gjitha institucionet, nuk ra për shkak të reformave që bëmë për biznesin. Pra, ato reforma që nxitën  biznesin mbrojtën ekonominë shqiptare. Bënë që ajo të ketë katërfishin  e rritjes në krahasim me mesataren e  rritjes së Rajonit. Prapë dhe njëherë të kthehem tek rregulli i Thelbsit. Unë i besoj atij rregulli. Ai  rregull thotë mos merr borxh për asgjë tjetër përveçse për investimet, ne do të investojmë do të ruajmë nivelin maksimal të mundshëm të  investimeve. Praktika 5 vjeçare dëshmon sukses të plotë, sepse shifrat tregojnë se nga 2008 deri më sot, borxhi është luhatur me 2-3%, ndërkohë që vende të cilat kanë ndjekur paketën e ashpërsisë të përgjysmimit të shpenzimeve, të uljes drastike të rrogave dhe pensioneve, ato kanë pasur për rezultat dyfishimin dhe mbi-dyfishimin e borxhit. Kështu që ne i qëndrojmë kësaj me besimin e plotë se duke nxitur bizneset ne do të mbrohemi nga kriza dhe unë mendoj që kjo është një nga arritjet më të mëdha në të gjithë historinë ekonomike të këtij vendi. Imagjinoni ju ç’po ndodh me vendet e tjera.

Problemi i CEZ, drejtues të lartë të bordit e kanë bërë të qartë tashmë dëshirën e tyre për tu larguar nga Shqipëria dhe janë duke kërkuar një derë për të dalë. Një largim i CEZ do të kishte pasoja për imazhin e Shqipërisë duke pasur parasysh investitorët, për problematikën që ka pasur CEZ edhe me institucionet dhe a do të ishte e gatshme qeveria shqiptare ta merrte nën menaxhim Operatorin e Shpërndarjes?
 
Lidhur me CEZ. Njëherë duhet të jeni të sigurt ju dhe qytetarët shqiptarë, se çdo marrëdhënie e kësaj qeverie me korporatën e CEZ dhe çdo sipërmarrje tjetër të huaj është një marrëdhënie kryekëput transparente. Në rastin e  CEZ dhe në rastin shpërndarjes së energjisë, marrëdhënia është transparente, analizat nuk janë vetëm të palës shqiptare dhe të palës së CEZ-it, por janë tashmë dhe të institucioneve ndërkombëtare. Gjithçka zhvillohet në përputhje me ligjet e vendit, ka apo nuk ka kapacitet qeveria shqiptare për administrimin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Unë gjykoj, dhe kjo është me tregues jo vetëm me gjykim, ato kanë qenë më mirë se ç’janë sot. Humbjet sot janë më të mëdha, kjo jo se CEZ nuk ka bërë përpjekje për një menaxhim, sepse CEZ ka qenë më interesuar se kushdo tjetër, por faktikisht humbjet janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Përsa i përket borxhit të sipërmarrjeve publike, ato janë të gjitha llogari transparente. Ekziston një borxh i caktuar, por aspak përcaktues në përformancën aktuale të sipërmarrjes së shpërndarjes së energjisë elektrike, kjo është  e thënë dhe qytetarët duhet ta dinë. Po bëhet gjithçka. Janë angazhuar fonde shumë të mëdha që energjia të mos mungojë një ditë të vetme, një orë të vetme për shkak të furnizimit, tjetër problem çështja e pagesave, pasi energjia duhet të paguhet patjetër, ose për defektet teknike.

Z.Kryeministër, keni deklaruar se vitin e ardhshëm do të rriten rrogat e arsimtarëve dhe pensionet, ku e bazoni deklaratën tuaj në një kohë kur dihet se kriza është ende e pranishme?
Së pari është një politikë konstante e kësaj qeverie rritja e rrogave dhe pensioneve dhe shpreh kënaqësinë time, se ka patur një qëndrim të palëkundur në këtë drejtim edhe në rastet kur është shpallur me germa kapitale se qeveria nuk ka lek për të paguar rrogat, qeveria ka rritur rrogat një muaj më vonë, dhe në rastet kur është shpallur me të madhe se nuk do të rriten pensionet, qeveria ka rritur pensionet. Sot qeveria është vendi i vetëm  që në një hark kohor 6 vjeçar ka rritur rrogat e arsimtarëve, infermierëve, mjekëve dhe disa kategorive të tjera nga 120 deri në 150 %. Ka rritur pensionet e ulëta me mbi 100%, ka rritur pensionet e ulëta me mbi 120% , pra ka ngushtuar në mënyrën më të ndejshme diferencën mes rrogës mesatare dhe rrogës maksimale të zyrtarëve më të lartë. Ishte 1 me 9 krahasuar me rrogën e kryeministrit dhe 1 me 11 krahasuar me presidentin dhe është ngushtuar kjo në 1 me 4.5 dhe do ngushtohet më tej. Kjo politike ka pasur një efekt tjetër jashtëzakonisht pozitiv. Ka udhëhequr një proces, i cili solli ngushtimin me shpejtësi të madhe të një diference jashtëzakonisht të papranueshme, diferencë gjinore në rroga. Kjo diferencë gjinore në vitin 2005 ishte 36%, dhe kjo jo se ligji përcaktonte që mësuesi të merrte me shumë se mësuesja, por se pozicionimet në piramidën e administratës apo jashtë saj ishin të tilla, saqë në total diferenca dilte 36% dhe kjo sot është 17.7% ndërkohë që mesatarja e BE është 17,.6%. Pra kemi kapur mesataren dhe kemi lënë prapa 10 vende anëtare. Sot nuk ikën kush më nga arsimi, sot nuk ikën kush më nga  sistemi i shëndetësisë. Ka një motivim shumë më të madh nga administrata, kështu që rritja do të behet. I vetmi komplikim është se viti që vjen është vit zgjedhjesh dhe do të behet ajo një muaj para datës së zgjedhjeve apo dy javë pas datës së zgjedhjeve, kjo do të përcaktohet, por opozita nuk ka të drejtë morale të ngrihet kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve, me pretekstin se po bëhen për zgjedhje pasi  ato janë rritur çdo vit. Do ta quaja normale protestën e saj në qoftë se këto rritje nuk do të kishin qenë rritje të përvitshme. Ndaj dhe e ftoj opozitën, e cila ka votuar me fanatizëm shtatë vjet kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve, të braktisë  këtë praktikë, të behët zemër gjerë dhe të votojë rritjen e rrogave dhe pensioneve edhe këtë vit ndonëse theksoj këtu se ky nuk është ligj me 3/5, rrogat dhe pensionet do të rriten. Natyrisht fitimtarin në zgjedhjet e qershorit do e përcaktojnë zgjedhësit shqiptarë, por një gjë është. Ju i ndoqët zgjedhjet e fundit, më të mëdhatë në botë, më të kushtueshmet në histori. Kush i fitoi? I fitoi ai që çdo javë, çdo muaj, çdo vit kishte realizuar ndryshimin... Edhe kandidati Romney premtoi ndryshim, madje ju tha qytetarëve se “ndryshimi i vërtetë jam unë”, por midis fjalës dhe veprës, qytetarët amerikanë besuan veprën. Qytetarët e Ohajos votuan sepse u shpëtuan miliona vende pune në industrinë automobilistike. Qytetarët shqiptarë kenë një vetëdije të thellë, se ndonëse se rrogat po ulen kudo, në Shqipëri po rriten, dhe konstatojnë se papunësia po bëhet e lemerishme në vendet e tjera, kurse këtu po ulet. Kush ishte nga ju me mua në Grykën e Drinit në Lapaj? A e imagjinoni ju në ato gërxhe u krijuan 2500 vende pune? 2500 vende pune në atë terren, të lëvizura 200 mijë metër kub shkëmb, 20 mijë metër kub beton. Mbi atë hidrocentral ishin edhe të tjerë në ndërtim e sipër. Të gjitha ndërtohen jashtë kamerave tuaja. Më thonë se në grykën tjetër që shkon drejt Shishtavecit, janë në përfundim e sipër 5 të tjera dhe po kjo kompani më informoi se në dhjetor përfundojnë 3 HEC-e në Lurë dhe kudo në Vithkuq, Martanesh etj. Pra, ka një Shqipëri që ju nuk e shihni, që është jashtë kamerave tuaja, por një Shqipëri që punojnë dhjetëra mijëra vetë. Pra, mora këtë aspekt. Aspekti tjetër që do të thoshte një opozitar: “vrapova në të katër anët dhe nuk po gjej kund një rrugë të pa asfaltuar”! Jo ka, por nuk shkojnë, nuk e mundojnë vetën kaq shumë për të shkuar aq larg, por ne po asfaltojmë kudo. Këto janë pasaportë besimi, por jo votimi. Votimi është projekti i Shqipërisë së zhvilluar. Pra të gjitha fushat do të vendosen në një platformë, në një alternativë, e cila bën që Shqipëria pas katër viteve të kapë nivelet e vendeve të zhvilluara. Tani ka kapur disa nga treguesit më thelbësor të tyre, por janë dhjetëra e dhjetëra të tjerë që ajo duhet ti kapë dhe jam i sigurt. Për këto do të votojnë. Për çfarë do të votojnë qytetarët shqiptarë? Për bllokimin, kush është ai që mund të votojë bllokimin, kurrë. Apo për taksën progresive, apo premtimin që do t’ju heq taksën e xhiros dhe do t’ju vendos TVSH-në. Cili biznesmen i vogël mund të besojë z. Rama kur e di që për tabelën, të cilës i vinte emrin e djalit ose të vajzës ose të vetin, duhet të paguante një milion lekë. Njerëzit kanë memorie dhe tani ju thotë “nuk do të keni këto taksa do t’jua heq, por do ta rregullojmë vjeljen ndryshe”. Çfarë do të rregullosh pasi t’i heqësh? Më thoni ju mua nëse i heq çfarë do të vjelësh? Ndaj dhe rezultatin do ta përcaktojnë zgjedhësit, por zgjedhësit në tym nuk votojnë... Zgjedhësit janë të kthjellët në arsyen e tyre, në vizion e tyre, do të votojnë vizionin tonë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›