E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari dhe synimet vetjake të një aventurieri

22-05-2012 / Nga Kostaq Xoxa

“Pushtimi i Brendshëm”, në vështrimin e autores Liliana Hoxha

Ndër protagonistet e librit “Zonja e Zezë” të autorit Fahri Balliu, botuar në qershor të 2005-s, ishte njëra prej banuesve në të njëjtën strehë me Nexhmije Hoxhën, Liliana, në dëshminë tronditëse të saj. Ky libër, së pari pati ribotime të njëpasnjëshme në Shqipëri, por nuk vonoi të dilte në vitrinat e librave best-seller të të gjithë Europës, madjé edhe përtej kontinentit tonë.
Zonja Liliana Hoxha u bë e njohur që në atë kohë, duke dalë hapur  në rrëfimin e saj të jashtëzakonshëm, në demaskimin pa as më të voglën luhatje, kundër asaj dysheje kobzezë, jo vetëm ndaj personit të saj dhe të bashkëshortit, por edhe të vendit dhe të demokracisë së brishtë shqiptare: Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë. Autorja e librit të Lilianës “Pushtimi i brendshëm”, tanimë orvatet të argumentojë se, veçanërisht pas vitit 1980, kur Enver Hoxha ishte jo në gjendje të mirë shëndetësore, Zonja e Zezë filloi të mendonte për pushtetin e saj vetjak, në bashkëpunim me Ramizin. Sidomos, me “vrasjen” e Mehmet Shehut, në periudhën  afërsisht katërvjeçare gjer në vdekjen e diktatorit më 11 prill 1995, Nexhmija u vu në rol të një politikaneje aktive, të një konservatoreje të thekur, në dëm të një hapjeje e cila, sipas autores, ishte e mundshme së pari me Gjermaninë që i ofronte ndihmë Shqipërisë. Liliana e quan vrasje dhe jo vetëvrasje, vdekjen e M. Shehut. Tani, në ecje të vjetëve edhe për pesë vite të tjera, kur sistemet politike të të gjithë Europës Lindore po tronditeshin dhe Shqipëria po u afrohej proceseve demokratike të dhjetorit, kjo dyshe Nexhmije-Ramiz ishte në një veprimtari të ethshme sesi të përdhosej pluralizmi dhe demokracia shqiptare, që në hapat e parë të lindjes. Liliana Hoxha është koherente në rrëfimin në këtë librin e saj për qëndrimin ndaj Nexhmijes dhe Ramizit për çka është shkruar në librin “Zonja e Zezë”. Por, në veprimtarinë e saj të mëtejshme si publiciste, e zgjeron edhe më tej antikombëtarizmin e të dy bashkëpunëtorëve të përmendur më lart, por edhe në ballafaqimin polemik me mjaft pena të publicistikës. Qëndrimi i saj ndaj ’97-s është, gjithashtu, kundërveprues.
***
Por qëllimi i këtij shkrimi përqendrohet në këndvështrimin e Liliana Hoxhës për 21 janarin e vitit 1991. Kjo është një temë e nxehtë, sepse Edi Rama mundohet të justifikojë atë veprimtarí antikushtetuese që, në dëshpërim e sipër, e bëri që t’i hyjë aventurës që të shkaktojë të vrarë dhe të mundohet që këtë provokim t’ua ngarkojë mbrojtësve të selisë kryeministrore. Që të përdorim shprehjet e saj, ai kishte hedhur gurin dhe kishte fshehur dorën. Më parë le të shohim mendimet e saj për Edi Ramën: “Për profilin e Ramës, do të thotë të kem pak respekt për veten time, ndaj përsëris si Kasandra: -Kam thirrur me kohë që Rama është rreziku i ri terroristo-mafioz për Shqipërinë, për vetë energjitë e ambicies maniakale për pushtet (...) si orator sharlatanizmi i pamat i “politikave të reja”. “Duke synuar me obsesion vetëm pushtetin, i degraduar në jetën personale të degjeneruar e korruptive, pa bosht as majtas e as djathtas, ai stërhollon metodologjitë më klasike e më moderne të strategjisë së mungesës së moralit drejt pushtetit” (f. 417). Ky shkrim ka edhe një nëntitull që duhet shënuar edhe ai: “Monstruoziteti Rama”. Në f. 385: “Nuk ka asnjë tension real për destabilizim, përveçse i instrumentalizuar artificialisht prej politikës, kryesisht të opozitës, i mbështetur nga Alia, me qëllim që Berisha t’i lëshojë pé Ramës. Në f. 391, autores i kujtohet Kaligula, i krahasuar me Ramën, si gjysmë i çemdur e pervers dhe maniak seksual”. Në f. 395, i njëjti politikan cilësohet si “me energjinë e populistit fiktiv e alla-perëndimor, që nuk ka frikë të sfidojë édhe Europën me obstruksionizëm, me alibí vetëmbrojtjeje në emër të principit të votës së lirë”. Do të zgjateshim te fizionomia morale dhe politike e E. Ramës, që është shpalosur në shumë e shumë faqe të tjera. Dhe vijmë drejtpërdrejt te 21 janari: “Demonstrimi i dhunës më 21 janar, siç u mor vesh me parapërgatitje të mbi 300 personave si bërthamë krimi, dhunë nga e cila qytetarët e PS-së u larguan të tmerruar nga ekrani; po aq sa shqiptarët, që e ndiqnin situatën prej televizorit, ky demonstrim ishte një befasi, arsyeja e të cilit është e pamundur të justifikohet. E, pra, qytetari shqiptar e pa qartësisht këtë radhë autorin e dhunës. Projektimi i dhunës ndaj shtetit (ndaj kryeministrisë) shkaktoi në popull një makth që të therte me të pabesën e saj. Nuk kishte shqiptar që të mos befasohej nga dhuna”. Më tej flitet për policinë e pambrojtur, e rrezikuar për jetën nën goditjet me çdo mjet. “Këta (policët) të dhimbseshin jo vetëm për plagët e mirëfillta, por për durimin mbinatyror teksa poshtëroheshin, duke mos iu përgjigjur sulmit fizik”. “U deshën 4 orë që të dëgjohej pozicioni amorf i Presidentit të Republikës ndërsa PS, protagonistja e tubimit nuk ekzistonte më në asnjë funksion, në asnjë zë. Lideri i tyre kishte hedhur gurin e po fshihte dorën. Kjo s’është e rrallë për të, por kësaj radhe qëllimi ishte kriminal, për tentativë të çmendur të përmbysjes me dhunë të Shtetit, qoftë vetëm me elementë të inkriminuar. S’kishte si të ndodhte ndryshe nën bizantinizmin e Ramës : socialisti mund të nënshtrohej si dele, por jo si vrasës! Gjithçka ishte e qartë si drita e diellit, ndonëse po ngrysej. Pas katër orë rezistence pati edhe viktima. Qëllimi Rama dështoi. Shteti u ruajt”. Më tej akoma: “Kjo i duhej liderit të PS-së, që situatën e humbur ta përdorte si revansh. Viktimat e turmës së nxitur nga Rama (4 të vrarë) sot e përgjithmonë do të përdoren në mënyrë të turpshme si “shansi” i kundërvënies ndaj Berishës”.
Duke shkurtuar paksa komentet e mëtejshme të autores, nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes edhe interpretime të efektshme të saj: “Në domosdoshmërinë e arsyetimit, së pari kemi shkakun, së dyti pasojën. Kjo (e dyta) nuk i intereson liderit të PS-së. Shqipëria në tym e në flakë dhe imazhi prej barbari i shqiptarëve, doemos ishte qëllimi i tij. Por ajo çka i shërben më tepër, pas humbjes personale, është derdhja e gjakut”. I lutem lexuesit ta lexojë edhe njëherë tjetër këtë fjalinë e fundit. Këtë autorja e quan “kartën më të fuqishme apo gomën e shpëtimit për të dalë nga vorbulla ku e futi vetveten”. Dhe, së fundi, bëhet analiza e pakontestueshme: “Nëse Rama nuk ka lidhje me krimin, përse nuk doli gjatë 5 orëve të luftës me Shtetin, të ndalte dhunën, si përgjegjës i drejtpërdrejtë për tubimin, madje të distancohej, me hipokrizi, nga elementët e krimit? Përse në këtë pikë bën bisht çdo socialist apo çdo mercenar mediatik i Ramës?”.
Më tej i vjen radha Prokurores së përgjithshme: “Përse kjo nuk shprehu emancipimin profesional, pa ndërhyrë e pa përjashtuar njëri-tjetrin në domenet e hetimit por, në të kundërtën, mbajti qëndrim karshillëku në komisionin parlamentar të hetimit?”. Nëse na lejohet të shprehim edhe né një fjali, do të thoshim se në librat juridikë duhet të kemi parasysh një frazë: “Nëse kërkon krimin, duhet të shohësh edhe kujt i intereson ky krim!”.  Veçse në rastin që analizon autorja, mund të shtojmë se “qëllimi justifikon mjetin” e “Princit” të Makiavelit, nuk u realizua, që Rama të orvatet edhe sot e kësaj dite, të justifikojë mjetin me të cilin donte të realizonte qëllimin e tij.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›