22-23 nëntor Dita Arbëreshe dhe Samiti i tretë i Diasporës, Hasani: Një pikëtakimi me bashkëatdhetarët tanë

Mbahet këtë të mërkurë (22 nëntor) Dita Arbëreshe dhe të enjten (23 nëntor) Samiti i tretë i Diasporës në Tiranë.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, përmes një postimi në Facebook, teksa i konsideron eventet një pikëtakimi me bashkëatdhetarët nga çdo cep i botës shprehet se këto dy ditë do të jemi bashkë për të diskutuar dhe kontribuar në çështjet më të rëndësishme që na prekin të gjithëve.
“Mirëmëngjes nga Tirana ku jemi gati për Ditën Arbëreshe dhe Samitin e 3-të të Diasporës! Një pikëtakimi me bashkëatdhetarët tanë nga çdo cep i botës si një vlerë dhe pasuri të kombit.
Do të jemi bashkë këto dy ditë, për të diskutuar dhe kontribuar në çështjet më të rëndësishme që na prekin të gjithëve ne”, shkruan ministri.
Për dy ditë rresht, kryeqyteti do të presë Samitin e tretë i Diasporës që në hapje të saj do të ketë aktivitetin ”Dita Arbëreshe”, dy ngjarje këto cilat janë një pikëtakimi me bashkëatdhetarët nga çdo cep i botës si një vlerë dhe pasuri të kombit.
Dita Arbëreshe do të mbledhë në Tiranë përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh, studiues, historian për të diskutuar në panele, ndërkohë që shefi i diplomacisë shqiptare Igli Hasani do të mbajë fjalën e hapjes për t’u pasuar me mesazhet e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama dhe emra të njohur arbëresh, si dhe do të jepen edhe çmimet “Shqiponja e artë” për disa personalitete.
Ndërsa Samiti III i Diasporës do të zhvillohet te mërkurën ku pritet të jenë të pranishëm përfaqësues të lartë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe mbi 2 mijë bashkatdhetarë nga diaspora, të cilët janë regjistruar prej muajsh për të marrë pjesë në samit.
Pas sesionit do të ketë 6 panele diskutimi të organizuara nga MEPJ, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Arsimit dhe Sporteve etj.
Diaspora shqiptare është katalizator i ndryshimit dhe faktor në zhvillimin e shoqërisë në Shqipëri nëpërmjet ndërmjetësimit, ndarjes së ideve, praktikave, vlerave dhe qëndrimeve, normave të sjelljes dhe akumulimit të njohurive dhe përvojës në zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e investimeve.
Gjithashtu Diaspora shqiptare ka një rol të rëndësishëm në promovimin e produkteve shqiptare dhe mësimin e gjuhës shqipe te brezat e rinj në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë.
Lidhja shpirtërore, dashuria për atdheun ka bërë që të ruajnë gjuhën, kulturën, zakonet dhe traditat e paraardhësve të tyre, duke krijuar kështu edhe shoqata shqiptare apo organizata, pavarësisht integrimit në shoqërinë e vendeve ku ata jetojnë prej vitesh.
Figura të njohura, personalitete të shquara shqiptarë të Diasporës, me veprat dhe aktivitetet e tyre, kanë dhanë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të veçantë në promovimin e vendit tonë.
/rtsh.al/