E Diel, 1 Nëntor 2026

23 të arrestuar për akte dhune në protestën e djeshme, 30 në kërkim dhe 13 në procedim penal

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Policia e Shtetit bëri të ditur sot se arrestoi 23 shtetas dhe procedoi penalisht 13 të tjerë pasi gjatë protestës së djeshme kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë, si dhe dëmtuan godina institucionesh shtetërore.

Policia shpalli po ashtu në kërkim edhe 30 shtetas të përfshirë në akte dhune.

Sipas Policisë, gjatë protestës së djeshme, të zhvilluar në zona të ndryshme të kryeqytetit, punonjësit e Policisë së Shtetit u sulmuan për orë të gjata me gurë, vida e sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla.

Si pasojë e sulmeve nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, disa punonjës Policie u plagosën dhe morën ndihmën mjekësore.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, nën drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e djeshëm u arrestuan shtetasit: J. B., 54 vjeç, L. B., 48 vjeç, D. Zh., 36 vjeç, Xh. M., 27 vjeç, M. S., 38 vjeç, K. F., 25 vjeç, V. L., 29 vjeç, E. Zh., 34 vjeç, Xh. M., 30 vjeç, A. E., 38 vjeç, R. K., 23 vjeç, E. N., 26 vjeç, M. Sh., 33 vjeç, R. H., 27 vjeç, B. O., 18 vjeç, E. N., 28 vjeç, L. N., 25 vjeç, O. A., 19 vjeç, J. Z., 35 vjeç, R. V., 31 vjeç, V. A., 20 vjeç, E. Xh., 39 vjeç dhe R. D., 31 vjeç;

Ndërkohë u proceduan penalisht 13 shtetas, si dhe u shpallën në kërkim 30 të tjerë.

Policia vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›