E Diel, 1 Nëntor 2026

25 të arrestuar dhe proceduar për shkelje të rregullave të qarkullimit në Tiranë

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar aksionin për lirimin e korsive të dedikuara për transportin publik dhe bllokimin e mjeteve elektrike. Sipas policisë, gjatë 72 orëve të fundit në përfundim të kontrolleve të zhvilluara në akse të ndryshme të kryeqytetit 40 automjete u hoqën me mjet ngritës nga korsitë e dedikuara, 25 shtetas u arrestuan dhe proceduan penalisht për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, ku 3 prej tyre drejtonin automjete nën efektin e lëndëve narkotike. Gjithashtu u tërhoqën 76 leje qarkullimi të shtetasve që rezultojnë debitorë për mospagim të detyrimeve administrative, u sekuestruan 90 monopatina dhe 12 motoçikleta elektrike për lëvizje në kundërshtim me udhëzimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të patinave elektrike dhe çdo varianti të tyre të kombinuar, për arsye që lidhen me sigurinë publike dhe sigurinë e qarkullimit rrugor. Policia Rrugore e Tiranës u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos përdorin korsitë e dedikuara dhe të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo të substancave narkotike. Kontrollet do të vijojnë çdo ditë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës. /k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›