25 vite nga tragjedia e 11 Shtatorit, Orkestra e FA sjell koncertin “Requiem for the Living”

25 vite pas një prej ngjarjeve më tragjike të historisë moderne, muzika bëhet një mënyrë për të kujtuar viktimat dhe për të përcjellë një mesazh universal për jetën dhe paqen.
“Requiem for the Living” është koncerti vokal-simfonik, në nderim të viktimave të sulmeve të 11 Shtatorit 2001.
I frymëzuar nga vepra me të njëjtin titull e kompozitorit amerikan Dan Forrest, koncerti bashkon muzikën simfonike dhe vokale në një vepër me ngarkesë të fortë emocionale dhe shpirtërore.
Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të ngjitet Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, së bashku me solistët shqiptarë Ramona Tullumani, Josif Gjipali, Kastriot Tusha, Ekland Hasa, Flaka Goran dhe Diego Zelka.
Koncerti vjen nën drejtimin e dirigjentit Bujar Llapaj.
Përmes tingujve të veprës së Forrest, kjo mbrëmje synon të shndërrohet në një homazh për ata që humbën jetën, por edhe në një reflektim mbi vlerën e jetës, kujtesës dhe paqes.
Një koncert që tejkalon kufijtë e muzikës dhe sjell në vëmendje një mesazh që mbetet po aq i fuqishëm edhe 25 vite më vonë , kujtesa na bashkon dhe paqja mbetet një vlerë universale.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/