E Diel, 1 Nëntor 2026

3 mijë trupa britanike stërvitje me FA, Cannon: S'ka lidhje me Sirinë, ishte planifikuar më parë

VLORË- Në kuadër të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, në periudhën 11 gusht-13 shtator 2013, do të zhvillohet stërvitja e përbashkët "Albanian Lion 2013".

Në këtë stërvitje marrin pjesë rreth 3000 trupa britanike, kryesisht komando dhe forca detare, si dhe një efektiv prej 35 vetësh nga Forcat e Armatosura holandeze, të cilat operojnë së bashku me trupat britanike.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Xhemal Gjunkshi dhe ambasadori britanik, Cannon kanë inspektuar stërvitjen e përbashkët shqiptaro- britanike në Sazan. Ambasadori britanik vlerësoi bashkëpunimin me Forcat e Armatosura shqiptare. 

Në një prononcim për mediat, ambasadori britanik hodhi poshtë aludimet e bëra ditët e fundit në media se stërvitja ka lidhje me zhvillimet më të fundit në Siri. Ambasadori thekson se stërvitja ishte planifikuar shumë kohë më parë në kuadër të NATO.

Teatri i stërvitjes së përbashkët shqiptaro-britanike "Albanian Lion 2013" ka një shtrirje të gjerë gjeografike, duke filluar prej rajonit stërvitor të Bizës, në Pashaliman, Kuçovë, Karaburun dhe Sazan. Forcat e Armatosura do të angazhohen në stërvitje me trupa dhe mjete të Forcës Detare, si dhe trupa të Forcës Tokësore, në realizimin e skenarëve të përbashkët. 

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›