3 orë pas vendimit, Rama-Barrosos: Liberalizo vizat
Rama gjen rastin të tregojë se opozita pajtohet me këtë proces
Siç e ka bërë zakon kreu i PS-së, Edi Rama, ka zgjedhur sërish postën për të komunikuar. Këtë herë ai nuk i ka dërguar letër Kryeministrit Berisha, me të cilin pret të arrijë një marrëveshje për transparencën e zgjedhjeve, por i ka shkruar Jose Manuel Barrosos, President i Komisionit Evropian. Një letër që ka marrë shkas nga vendimi i djeshëm i Komisionit Evropian për ti propozuar instancave të tjera vendimmarrëse në BE liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Megjithëse e dërguar, pasi procesi është futur tashmë në rrugë të pakthyeshme, duket si ajo shprehja popullore si kofini pas të vjelit. Rama gjen rastin të tregojë se opozita pajtohet me këtë proces megjithëse prej një viti ajo konteston institucionet e dala nga zgjedhjet e fundit. Madje këtë gjë ia vë në dukje dhe Barrosos, të cilit i lutet që procesi i heqjes së vizave gjithsesi të mos pengohet nga kriza politike në vend. Është ky rasti më i mirë për mua që tju falënderoj në emër të opozitës shqiptare për koherencën që ju personalisht, e Komisioni Evropian po ashtu, keni manifestuar në vijimësi për ta nxitur, mbështetur e përfshirë Shqipërinë në rrjedhën e bashkëjetesës evropiane, duke ndikuar me këmbëngulje përpjekjet e vendit tim në rrugën e vështirë për përmbushjen e standardeve mbi të cilat qëndron në këmbë ngrehina e Bashkimit Evropian, - shkruan Rama. Më tej ai shton se lejomëni tju lutem zoti President që lëvizja e lirë e shqiptarëve të mos varet a lidhet në asnjë mënyrë me çfarëdo problemi që Shqipëria sot ka për shkak të mungesës së transparencës dhe të kushtetutshmërisë në një sërë aspektesh të administrimit të punëve të vendit, duke filluar nga vetë Parlamenti ku këto mungesa themelore fatkeqësisht ndeshen rëndom. Ndërkohë duke kërkuar ta bëjë dhe opozitën palë në këtë proces ai sqaron se ajo nuk ka tentuar asnjëherë të bllokojë apo të prishë punë në këtë drejtim duke e ndarë luftën e saj politike nga kjo çështje. Apelin për heqjen e regjimit të vizave e për moskushtëzimin e kësaj procedure të shumëpritur për Shqipërinë e kemi bërë pa pushim, në Tiranë, Bruksel, Strasburg, Pragë, Sarajevë, kudo ku kemi gjetur një hapësirë evropiane për të thënë fjalën tonë në emër të një populli evropian, të shumëvuajtur pesëdhjetë vjet nën një prej regjimeve komuniste më brutale në botë dhe të mbetur sot e gjithë ditën brenda kufijve të vet të lëvizjes së lirë për shkak të një tranzicioni të stërzgjatur plotë mangësi e boshllëqe në ndërtimin e shtetit demokratik, - shkruan Rama. Dhe këtu ai kujton si një arritje votat që dha grupi parlamentar socialist për rezolutën e 11 marsit 2010, që mbështeste heqjen e regjimit të vizave.