30 minuta ndërprerje e energjisë, MIE: Defekti nisi në linjën e interkonjeksionit me Greqinë

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Për gati 30 minuta thuajse në të gjithë vendin është ndërprerë furnizimi me energji elektrike.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se kanë rënë linjat e transmetimit në Shqipëri dhe Malin e Zi.
MIE thotë se nga këqyrja fillestare rezulton se volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ekstreme kane qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit.
“Defekti ka filluar nga linja e interkonjeksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin. Është identifikuar defekt edhe në linjën e Prizrenit. Nga këqyrja fillestare rezulton se volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ekstreme kane qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit”, bën të ditur ministria.
Ndërkohë MIE shton se ka probleme me transmetimin edhe në Bosnjë edhe në Kroaci.
Furnizimi me energji është rikthyer në të gjithë vendin.