300 kuota të reja me kredi me zero interes për administratën publike, Grabovaj për ATSH-në: Prioritet profesionistët në sektorët kyç

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Qeveria ka miratuar për vitin 2026 një paketë të re prej 300 kuotash për kredi me zero interes për punonjësit e administratës publike, në kuadër të politikave për mbështetjen e strehimit të profesionistëve në sektorët më të rëndësishëm të shërbimeve publike.
Drejtoresha e Drejtorisë së Strehimit pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Dardana Grabovaj, bëri të ditur në një prononcim për ATSH-në, se kuotat janë shpërndarë sipas nevojave të institucioneve kryesore publike.
“Për këtë vit janë miratuar 300 kuota. Prej tyre, 70 janë dedikuar për Ministrinë e Brendshme, 70 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 70 për Ministrinë e Arsimit, 70 për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 20 për Ministrinë e Drejtësisë, ku është veçuar kategoria e punonjësve të Policisë së Burgjeve”, u shpreh ajo.
Sipas saj, përzgjedhja e përfituesve nuk do të bazohet vetëm në plotësimin e kushteve formale, por edhe në një sistem pikëzimi të përcaktuar në vendimin e qeverisë, i cili synon të garantojë një proces sa më të drejtë dhe transparent.
“Vendimi i qeverisë shoqërohet me një tabelë pikëzuese, e cila përcakton prioritetet për përfituesit. Përparësi do të kenë punonjësit me kontratë pune me afat të pacaktuar, ndërsa vlerësohen edhe elementë të tjerë, si vitet e eksperiencës në administratë dhe kategori të tjera të përcaktuara në skemën e pikëzimit”, tha Grabovaj.
Ajo sqaroi se po punohet që procesi i aplikimit të zhvillohet tërësisht në mënyrë elektronike përmes portalit “e-Albania”, në bashkëpunim me AKSHI-n, me qëllim lehtësimin e procedurave për aplikantët.
“Po punojmë me AKSHI-n që programi të jetë i aksesueshëm në “e-Albania”. Procedurat janë të thjeshta dhe kërkojnë vetëm dy dokumente, një vërtetim që aplikanti nuk zotëron pronë në Republikën e Shqipërisë dhe një vetëdeklarim se nuk ka pronë në proces legalizimi”, u shpreh ajo.
Në vijim të procesit, komisionet e ngritura pranë çdo ministrie do të bëjnë vlerësimin e aplikimeve mbi bazën e tabelës së pikëzimit, ku një nga elementët që merret në konsideratë është edhe kategoria e pagës së punonjësit.
“Komisionet e vlerësimit do të shqyrtojnë aplikimet sipas kritereve të përcaktuara dhe do të japin prioritet edhe në bazë të kategorive të pagave, të cilat janë të pasqyruara në tabelën shoqëruese të vendimit”, tha Grabovaj.
Drejtoresha e Drejtorisë së Strehimit vuri në dukje se programi është përmirësuar nga viti në vit, duke reflektuar nevojat specifike të sektorëve të ndryshëm të administratës publike.
Si shembull, ajo përmendi Ministrinë e Arsimit, e cila ka vendosur kritere shtesë prioritare për mësuesit.
“Ministria e Arsimit ka zgjedhur t’u japë prioritet mësuesve që janë çift dhe të dy ushtrojnë profesionin e mësuesit, si edhe atyre që udhëtojnë rreth 100 kilometra nga vendbanimi drejt vendit të punës. Synimi është t’u krijohen mundësi më të mira strehimi pranë vendit të punës, duke lehtësuar jetën e tyre të përditshme dhe duke kontribuar në qëndrueshmërinë e profesionistëve në sistemin arsimor”, u shpreh Grabovaj.
Fondi në total këtë vit, i vënë në dispozicion nga qeveria për mbulimin e intresave, llogaritet 28 milionë lekë.
/k.s/j.p/r.e/