E Diel, 1 Nëntor 2026

300 vende të reja në Policinë e Shtetit, ministri Lamallari: Aplikoni për t’i shërbyer sigurisë së vendit

Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për 300 vende të reja në funksionet e rolit zbatues “Patrullë e Përgjithshme”.

Ministri i Brendshëm, Besfor Lamallari, u ka bërë thirrje të rinjve të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit, duke theksuar se procesi do të udhëhiqet nga meritokracia, shanset e barabarta, transparenca dhe integriteti.

“Për të rinjtë që duan të jenë pjesë e një Shqipërie europiane, moderne dhe të sigurt, uniforma është një mundësi për të kontribuar me dinjitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi”, u shpreh ministri.

Aplikimet do të jenë të hapura nga 17 gushti deri më 18 shtator 2026. Kandidatët që plotësojnë kriteret do të mund të konkurrojnë për pozicionet e reja në strukturat e Policisë së Shtetit.

Ministri theksoi se Shqipëria ka nevojë për të rinj që zgjedhin t’i shërbejnë vendit dhe komunitetit, duke e cilësuar rendin dhe sigurinë si një prej parakushteve për zhvillimin e vendit.

“Bëhuni pjesë e Policisë së Shtetit dhe e misionit për një Shqipëri më të sigurt”, ishte thirrja e ministrit për të gjithë të interesuarit.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›