31 marsi, afati i fundit për dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale, DIVA 2024

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Qytetarët kanë afat deri në fund të këtij muaji për të bërë deklarimin e të ardhurave.
Ky proces këtë vit ka pasur disa ndryshime.
Afati për dorëzimin e deklaratës së të ardhurave, e njohur si DIVA do të jetë 31 marsi dhe jo më 30 prilli. Ndërkohë që detyrimin e deklarimit do ta kenë të gjithë ata individë që realizojnë mbi 1,2 milionë lekë të ardhura në vit, nga mbi 2 milionë që ishte më përpara.
Praktikisht të gjithë ata që marrin mbi 100 mijë lekë në muaj pagë bruto duhet të plotësojnë formularin e deklarimit të të ardhurave.
Deklarimi duhet të bëhet edhe nga të gjithë të dy punësuarit, pavarësisht nivelit të pagave.
Detyrimin për të deklaruar e kanë edhe të gjithë ata individë që realizojnë të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim.
Këto ndryshime bëhen në kuadër të formatizimit të tregut të pagave dhe rritjes së kontrollit mbi qarkullimin e parasë.
Parashikohet që numri i deklaruesve të DIVA 2024 të jetë mbi 144 mijë individë, duke pasur parasysh që me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, me uljen e kufirit nga 2 milion në 1.2 milion, numri i deklaruesve pritet të jetë shumë më i lartë se vitet e mëparshme.
Administrata Tatimore informoi se deklarata DIVA 2024, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Rubrikat e sipërpërmendura, megjithëse gjenerohen të paraplotësuara, do të vijojnë të jenë fusha të lira dhe të ndryshueshme, në mënyrë që deklaruesi të ketë mundësi t’i verifikojë dhe ndryshojë ato. Gjithashtu fushë e paraplotësuar do të jetë edhe vlera e paguar gjatë vitit përsa i takon Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
/a.f/