E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

34-vjetori i themelimit të PD-së, Berisha: Ia dolëm të shpëtojmë opozitën e vërtetë

TIRANE, 11 dhjetor/ATSH/ Partia Demokratike festoi mbrëmjen e sotme me një pritje 34-vjetorin e themelimit. Kryetari i kësaj partie, Sali Berisha e cilësoi fat mundësinë që kjo parti i dha vendit pluralizmin.

Para të ftuarve, Berisha e nisi fjalën e tij duke përshëndetur Ilir Metën, Ervin Salianjin dhe Jamarbër Malltezin, të cilët sipas tij, janë të arrestuar në burgjet e diktaturës.

“Kur kthehesh mbrapa në kohë, në ditët më të para, kur rikthen në kujtime patosin, fuqinë e protestës studentore, studentët liberatorë, tribunin e lirisë, princin e pavdekshëm të shqiptarëve, Azem Hajdari, kur viziton në kujtime emocionet e themelimit të PD, njëherazi vendosjen e pluralizmit politik dhe ndarjen e epokave në Shqipëri, vendin më monist të planetit, kur kujton eposin qytetar të shembjes së kultit më të keq që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre, kultin e Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pasluftës, kur kujton entuziazmin e ditës së bardhë, ditës së parë të demokracisë që PD dhe opozita shqiptare sollën me 22 mars të vitit 1992, zëvendësimin e shtetit diktatorial me shtetin ligjor, kur kujton krenarinë e anëtarësimit të Shqipërisë në KiE, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kur kujton marrëdhëniet njerëzore të njerëzve të lirë, kur kujton trashëgiminë e atyre që sot nuk janë sot mes nesh, kur kujton tribunin e lirisë, prijësin e pavdekshëm Azem Hajdari, kujton Mandelën e Shqipërisë, Pjetër Arbnori, intelektualin vigan Ali Spahija, kujton intelektualin e shquar dhe guximtar, drejtues kryesor i PD, Gramoz Pashko, mençurinë e Sokol Olldashit, mirësinë dhe virtytet e Bujar Nishanit, qytetarinë e Gerti Bogdanit dhe mbi të gjitha dashurinë reciproke që anëtarët dhe mbështetësit e PD ndajnë njëri me tjetrin, kur fluturimthi kthehesh një kujtimet e pasura 34-vjeçare të historisë sonë, një gjë të vjen në mendje, çfarë fati për ne të jemi pjesë e kësaj partie”., u shpreh Berisha.

Ai u ndal gjerësisht në zhvillimet në opozitë dhe deklaroi se sot PD është e bashkuar me flamurin që valëvitet më krenar se kurrë ndonjëherë.

“Ne fituam. Ia dolëm që të shpëtojmë opozitën e vërtetë. Ta kthejmë atë në shpresën e vërtetë të shqiptarëve dhe të sigurojmë fitoren vitin e ardhshëm”, tha Berisha.

Kreu i PD-së shtoi se kjo parti ka fuqinë për të rikrijuar veten e saj.

“Jemi një parti që kemi drejtuar dy herë Shqipërinë. Herën e parë, kemi pasur gabimet tona, por kemi shënuar arritje epokale dhe askush sot nuk mund të mohojë se qeverisja e viteve 2005-2013 ka qenë më e suksesshmja që ka njohur Shqipëria. Dhe së fundmi ne kemi vetinë, aftësinë për t’u ringritur pasi rrëzohemi”, tha ai duke deklaruar se rikthimi i PD-së në pushtet herën e tretë do jetë fati i bardhë i vërtetë i shqiptarëve.

Berisha ftoi shqiptarët në datën 23 dhjetor në mosbindjen civile, sipas tij, më të fuqishme që është parë ndonjëherë.

“Të bashkojmë shqiptarët për shtytjen përfundimtare ndaj narkoshtetit dhe themeleve të tij. Të shndërrojmë Tiranën në kryeqytetin e demokracisë, tmerrin e narkokracisë.
Është radha jonë t’i japim përgjigjen në zemër këtij regjimi që në 10 vite shpopulloi, grabiti dhe poshtëroi shqiptarët”, përfundoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›