3.5 tonë kokainë nga Amerika e Jugut/ 28 të arrestuar në Itali, mes tyre ‘Ndrangheta’, ‘Camorra’ dhe ‘brokerë’ shqiptarë

Një operacion i gjerë ndërkombëtar i Guardia di Finanza ka goditur një nga rrjetet më të mëdha të trafikut të kokainës që vepronte në Lombardi dhe rajone të tjera të Italisë.
Hetimet kanë çuar në 28 arrestime, ku 25 persona janë dërguar në burg dhe 3 janë vendosur në arrest shtëpie, raportojnë mediat lokale.
Rrjeti ndërkombëtar: nga Amerika e Jugut deri në Europë
Sipas autoriteteve italiane, organizata kriminale importonte kokainë nga Kolumbia dhe Brazili, duke e futur në kontenierë mallrash nëpërmjet teknikës së njohur si “rip-off”, ku droga fshihej brenda ngarkesave të ligjshme.
Rrjeti kishte shtrirje në disa vende, përfshirë Gjermaninë, Holandën, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa komunikimet mes anëtarëve bëheshin përmes aplikacioneve të enkriptuara.
‘Ndrangheta, Camorra dhe ndërmjetës shqiptarë’
Mes të arrestuarve janë anëtarë të klanit Barbaro, një grup i fuqishëm i ‘Ndranghetës me origjinë nga zona e Locrides, të cilët bashkëpunonin ngushtë me figura të Camorra-s napolitane.
Hetimet zbuluan se grupi përdorte brokerë shqiptarë si ndërmjetës për të lidhur furnizuesit nga Amerika e Jugut me rrjetin italian.
Sasi rekord droge dhe pastrim parash
Autoritetet raportojnë se organizata ka importuar mbi 3.5 tonë kokainë, ndërsa gjatë hetimeve janë sekuestruar më shumë se 400 kg drogë.
Vlera e kokainës së kapur llogaritet të jetë mbi 27 milionë euro.
Në skemë ishte përfshirë edhe një shtetas kinez, i cili merrej me shkëmbimin dhe transferimin informal të parave nëpërmjet sistemit tradicional aziatik “Fei Ch’ien”, që lejon lëvizjen e shpejtë të fondeve pa gjurmë bankare.
Operacion i shtrirë në disa qytete
Kontrollet dhe arrestimet u kryen në Milano, Pavia, Bergamo, Como, Parma, Imperia, Romë, Taranto dhe Reggio Calabria. Guardia di Finanza përdori edhe njësi speciale dhe qen antidrogë për sekuestrimet.
Bashkëpunim ndërkombëtar
Aksioni u koordinua me Eurojust dhe Europol, të cilat luajtën rol kyç në gjurmimin e komunikimeve të koduara dhe lëvizjeve ndërkufitare të drogës.