35 vite nga rihapja e Kryegjyshatës Bektashiane/ Baba Mondi: Dëshmi e një udhëtimi të gjatë të ringritjes dhe besimit

Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka zhvilluar Konferencën Ndërkombëtare Jubilare me rastin e 35-vjetorit të rihapjes së institucionit.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të komunitetit bektashian, deputetë, akademikë, profesorë dhe përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe diaspora.
Ceremonia u zhvillua në një ditë që për komunitetin bektashian shënon disa përvjetorë.
Krahas 35 viteve nga rihapja e Kryegjyshatës më 22 mars 1991, këtë vit shënohet edhe 15-vjetori i Baba Mondit në drejtimin e institucionit dhe 11-vjetori i inaugurimit të Kompleksit Kulturor “Odeon”.
Gjatë konferencës u zhvilluan tre sesione me kumtesa dhe dëshmi mbi historinë e Kryegjyshatës, ruajtjen e identitetit shpirtëror dhe kontributin e komunitetit në jetën kulturore e shoqërore.
Në fjalën e tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, Baba Mondi, u shpreh se kjo ditë lidhet me rrugëtimin e institucionit që prej rihapjes së tij dhe me punën e bërë ndër vite.
“Po e mbyllim këtë konferencë ndërkombëtare jubilare me ndjenjë mirënjohjeje dhe përulësie shpirtërore”, u shpreh Baba Mondi.
Ai u ndal te tre përvjetorët që shënohen këtë vit dhe te rrugëtimi i Kryegjyshatës që prej 22 marsit 1991.
“Kjo ditë nuk është vetëm një ditë historike, por një dëshmi e gjallë e një udhëtimi të gjatë të ringritjes, përkushtimit dhe besimit”, u shpreh ai.
Baba Mondi u shpreh se përmes kumtesave, dëshmive dhe reflektimeve të paraqitura gjatë konferencës u soll në vëmendje historia e institucionit dhe ruajtja e trashëgimisë së tij shpirtërore e kulturore.
Në fund të fjalës së tij, ai falënderoi pjesëmarrësit nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Shtetet e Bashkuara dhe diaspora, që iu bashkuan ceremonisë së 35-vjetorit.
“Jemi munduar që, me gjithë vështirësitë që kemi pasur në këtë periudhë, të vazhdojmë rrugëtimin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane”, u shpreh Baba Mondi.