E Diel, 1 Nëntor 2026

35-vjetori i gazetës “Koha Jonë”, Rama kujton ngjarjet e ’97-ës: Kur liria e fjalës kërcënohej me erën e vdekjes

TIRANË, 13 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar sot në një intervistë nga botuesi i gazetës “Koha Jonë”, Nikollë Lesi, me rastin e 35-vjetorit të krijimit të gazetës dhe 29-vjetorit të djegies së redaksisë së saj.

Intervista vjen për publikun, sipas Ramës, “për një kohë kur liria e fjalës kërcënohej me erën e vdekjes nga një regjim injorantësh pa din e as iman”.

“Respekt për të gjithë ata që i dhanë jetë asaj legjende shpëtimtare për Shqipërinë e kohës, pavarësisht se si rrodhi më pas jeta dhe karriera e secilit”, shkroi Rama, përpara transmetimit të intervistës.

Gjatë intervistës kryeministri Rama ka rrëfyer detaje nga dhunimi i vitit 1997, pas të cilit u largua në Francë ndërsa pak më vonë u dogj dhe gazeta “Koha Jonë”.

“Ishin dy momente që kuptova se sa thellë kishte vajtur ideja. Po ishte e jashtëzakonshme nga ana ime. Se unë në momentin kur ata më lanë në tokë menduan që mbarova. Ata menduan që mbarova se më lanë në tokë dhe unë, s’e harroj, i shtrirë shoh gjithë dritaret, se shtëpia ime ishte te një si formë si dy L me një oborr të brendshëm, ishin parafabrikatet dhe ishte një bllok dhe shoh gjithë dritaret, dritat me njerëzit në dritare. Ishte kështu si një amfiteatër. Edhe aty mora fuqi, u çova dhe fillova duke iu bërtitur atyre: Rrini nëpër dritare, po kështu do t’ju vijnë juve nëpër shtëpi. Duke mbajtur fjalim. E kupton? Se isha akoma i nxehtë, nuk isha i vetëdijshëm unë se çfarë ndodhi”, theksoi Rama.

Ai tha se në gjendje të rënduar, u përpoq të kërkonte ndihmë dhe të largohej nga vendngjarja.

“Dola në rrugë, afër te parafabrikatet poshtë, tek ish-Uzina Enver. Dal në rrugë për të marrë makinë. Nuk ndalonin makinat, nuk ndalonin dhe unë isha gjak dynjaja dhe ndaluan e më morën dy çuna. Se kur unë po flisja më vjen dikush dhe më thotë: boll se po humb shumë gjak, dil merr një makinë. Të kujtohet që doli ajo teoria që i kanë hedhur bojë sipër që të duket…?!”, tha Rama.

Më tej Kryeministri Rama tregoi për lëvizjet e tij pas ngjarjes, kontaktet me miq dhe momentet në spital.

“Edhe mua akoma më rrinte mendja te lufta, edhe thashë të shkoj ta bëj një foto. Përpara fotos thashë të shkoj njëherë të lajmëroj dikë, se unë mund të iki dhe s’merr vesh se për çfarë dhe shkova te Sandër Furxhiu që punonte për BBC, që t’i thosha: ja ku më ke, dhe pastaj shkova te Kumi. I shkreti, edhe ai dridhej. Ai dridhej, më thoshte mua: mos thuaj që e ke bërë te unë – aty e shihja që ishte një situatë…, frikë e madhe, frikë e madhe – mos thuaj që e ke bërë tek unë, të lutem, fotografinë”, tregon Rama.

Rama përshkroi edhe momentet në spital, ku u trajtua nga mjekët dhe u identifikua si gazetar i “Koha Jonë”.

“Dhe kur shkoj në spital ata çunat më thanë mua: tani ne po të lëmë këtu. Nuk më çuan deri te dera. Më lanë, ishin 20-30 m larg dhe te dera unë akoma duke ecur, se fillova të ftohesha dhe filloi të dridhej trupi. Mjeku gjatë kohës që më qepte, më thoshte Skënder. Më erdhi pastaj m’u fut ai tjetri i këtyre që ishin me xhupa të zinj, m’u fut brenda ai, u fut në sallë, u fut, u shtri te krevati tjetër. Ishte katastrofë totale. Erdhi doktori, kjo është tentativë për vrasje. Pastaj dhe atje në Francë, kur më pa ai mjeku, që më pa këto plagët, tha: të ka shpëtuar gjatësia dhe sporti”, kujtoi Rama.

Lesi tha se “me këtë atmosferë erdhi dhe djegia e gazetës ‘Koha Jonë’, më 3 mars ’97”.

“Kështu që unë nuk kam qenë këtu kur u dogj. Po ajo ishte kapaku, domethënë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama foli edhe mbi rolin dhe përgjegjësinë e gazetarit në periudhën e zhvillimeve të medieve të para të lira në Shqipëri.

I pyetur nga Lesi se nëse një gazetar që angazhohet për vendin duhet të jetë pasionant, Rama theksoi se “po, ishte dhe një përgjegjësi që vinte nga fakti që ti e dije që do ta lexonin shumë njerëz”.

“E dije që mezi prisnin që ta hapnin. Unë mbaj mend atëherë me ato intervistat e gjata etj., mbaj mend që edhe sot takoj njerëz që m’i përmendin ato “te Koha Jonë, te Koha Jonë”. Kështu që ka qenë edhe ata që e bënin, por dhe ata që e merrnin, e thithnin, domethënë ishin sikur, ja 100 000 kopje. Imagjino! Por ama kishte vetëm një burim mediatik që ishte TVSH-ja. TVSH-ja ishte fashizëm komplet. S’kishte lidhje fare me pluralizmin. Dhe çfarë ishte, ishin këto paçavuret: jo RD, e çfarë kishte tjetër”, tha Rama.

“E kam fjalën që nuk ishin gazeta që i referohej publiku që donte të merrte vesh gjëra të vërteta. E ke menduar ndonjëherë për shembull se, unë kam menduar herë pas here, kur bie natyrisht fjala për këtë temë që, sido ishte rrjedha e ngjarjeve po mos ishte “Koha Jonë”? Të ishte vetëm TVSH-ja, RD-ja, “Albania” edhe “Sporti popullor”. Si do ishte rrjedha e ngjarjeve?”, vuri në dukje Rama.

Mendoj për shembull, vijoi Kryeministri se, tek referendumi i 94-ës “Koha Jonë” ka qenë kyç.

“Se ajo që nuk kuptohet dot sot është që TVSH nuk kishte aty. Kulmi i arritjes për PS-në atëherë ishte kur i nxirrnin ndonjëherë Namikun ose Servetin, ndjesë pastë, pa zë dhe: foli dhe ky, se ndërkohë gjithë pjesa tjetër ishte lemeri. Domethënë, si do ta përjetonin njerëzit realitetin që ishte e kundërta e asaj që thoshte TVSH-ja po mos ishte “Koha Jonë”?!”, u shpreh Rama.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›