E Hënë, 2 Nëntor 2026

“3D”- Bregu: Berisha po kërkon kohë për të përgatitur mbrojtjen

Debati mbi refuzimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha për të marrë fletëthirrjen nga SPAK ishte tema kryesore e emisionit “3D” në RTSH, të moderuar nga gazetari Alban Dudushi.

Në diskutim, pedagogu dhe gazetari Zylyfar Bregu u shpreh se veprimi i Berishës për të mos iu përgjigjur thirrjes së Prokurorisë së Posaçme është një përpjekje për të fituar kohë.

“Është e dukshme që Sali Berisha do të fitojë kohë. Nga lëvizja që bëri sot duke mos iu përgjigjur ftesës së SPAK, me cilësinë e personit që ka dijeni për hetimin e ngjarjes së 21 janarit, ai synon të shtyjë procesin,” tha Bregu.

Sipas tij, fakti që Berisha nuk e ka pranuar fletëthirrjen nuk është rastësi, sepse “ata që nuk e kanë pranuar fletëthirrjen për z. Berisha, sigurisht nuk e kanë pranuar thjesht me vullnetin e tyre,” shtoi ai.

Bregu u shpreh se Berisha po synon të fitojë kohë, si për të mësuar çfarë ka dëshmuar Lulzim Basha dhe të përgatitet, ashtu edhe për shkak të dilemës juridike mbi vendimet e Strasburgut dhe Gjykatës së Lartë që kanë rikthyer në afat veprat penale.

“Së pari, sepse nuk ka informacion të plotë mbi atë që ka dëshmuar Lulzim Basha dhe po përpiqet të sigurojë të dhëna për t’u përgatitur. Së dyti, sepse ekziston një dilemë juridike mbi vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe Gjykatës së Lartë, të cilat kanë rikthyer në afat veprat penale.

Bregu theksoi se, përveç vrasjes së Alek Nikës, hetimet mund të shtrihen edhe mbi veprat e tjera si shpërdorimi i detyrës apo pengimi i së vërtetës, të cilat deri më tani konsideroheshin të parashkruara nga legjislacioni shqiptar.

“Kjo do të thotë se, përveç vrasjes së të ndjerit Alek Nika, mund të hetohen edhe veprat e tjera si shpërdorimi i detyrës apo pengimi i së vërtetës, të cilat sipas legjislacionit shqiptar konsideroheshin të parashkruara,” u shpreh Bregu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›