E Diel, 1 Nëntor 2026

“3D” në RTSH, Kalemaj: Xi Jinping, udhëheqësi më me ndikim pas Mao Ce Dunit, po e kthen vendin në një fuqi globale

Zhvillimet e fundit diplomatike në Pekin dhe takimi i nivelit të lartë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kanë qenë në qendër të analizës në emisionin “3D”, të drejtuar nga gazetari Alban Dudushi në ekranin e RTSH-së. I ftuar në studio, analisti Ilir Kalemaj zbërtheu detajet e takimit, duke u ndalur jo vetëm te pesha e temave të diskutuara, por edhe te mesazhet vizuale dhe fuqizimi i paprecedentë i presidentit kinez, Xi Jinping.

Gjuha e trupit dhe “patatet e nxehta” të diplomacisë

Sipas analistit Kalemaj, të dy liderët kanë një njohje të gjatë që prej vitit 2017 dhe takimi i tyre i fundit ishte llogaritur në detaje nga stafet përkatëse. Ai vuri në dukje një element interesant në pamjen e tyre të jashtme, një formë përshtatjeje në veshje, e cila synonte të përcillte një mesazh paqeje dhe konstruktiviteti.

“Mënyra se si ishin veshur që të dy tregonte një lloj dëshire për të krijuar një bazë konfidenciale për të trajtuar çështje të nxehta, siç është ajo e Tajvanit, apo dakordësia për mospasjen e armëve bërthamore nga Irani,” theksoi Kalemaj.

Përtej temave të vështira globale, detajet vizuale ishin të mirëmenduara për të reflektuar maturi dhe harmoni. Kalemaj përmendi në mënyrë specifike zgjedhjen e kostumit të liderit kinez:

“Mënyra e veshjes së kostumit në një ton më të çelët nga ana e Xi Jinping ishte e tillë që, përveç paralelizmit, të merrte më tepër ndriçim dhe vizibilitet në krah të presidentit Trump.”

Konsolidimi i pushtetit

Duke analizuar figurën e presidentit kinez, Kalemaj e cilësoi atë si udhëheqësin më të fuqishëm të historisë moderne të vendit, duke lënë pas figura të rëndësishme si Zhou Enlai, Deng Xiaoping, Jiang Zemin apo Hu Jintao.

“Xi Jinping është lideri me më shumë impakt pas Mao Ce Dunit. Jo vetëm për kohëzgjatjen që ai ka në pushtet, por në Kushtetutën e Kinës, mendimi i tij tashmë renditet bashkë me atë të Maos. Pra, është bërë pjesë substanciale e kushtetutës kineze,” shpjegoi analisti.

Ky pushtet absolut ka ardhur si rezultat i unifikimit të lidershipit. Xi mban njëkohësisht postin e kreut të ushtrisë, sekretarit të parë të partisë dhe presidentit të vendit. Kalemaj kujtoi gjithashtu se ky konsolidim ka kaluar përmes goditjes së rreptë të kundërshtarëve brenda radhëve, përfshirë arrestimet dhe dënimet e nivelit të lartë në radhët e ushtrisë dhe ministrave të mbrojtjes.

“Pak a shumë është eliminuar i gjithë lidershipi kundërshtar. Në këtë mënyrë, Xi Jinping ka vënë vulën e tij dhe do të mbetet një nga figurat qendrore në historinë kineze.”

Nga një fuqi rajonale, në një aktor global

Në përfundim të fjalës së tij, Ilir Kalemaj theksoi se ambicia e Kinës ka ndryshuar rrënjësisht nën drejtimin e Xi Jinping. Duke iu referuar analizave historike të ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Henry Kissinger, ai evidentoi kalimin e Kinës nga një vend i fokusuar vetëm te rajoni i saj, në një fuqi me shtrirje botërore, falë nismave gjigante si projekti infrastrukturor “Brez dhe Rrugë” (Belt and Road).

“Kina gjithmonë ka qenë një fuqi e mesit, një fuqi rajonale shumë e fortë, por asnjëherë nuk ka aspiruar të jetë fuqi globale. Ajo që ka bërë Xi Jinping, tregon se Kina tashmë po kthehet në një fuqi globale,” përfundoi Kalemaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›