40 vjeçari përdhunon minorenen. Prokuroria: E lidhi në pemë dhe abuzoi me të
Një 40 vjeçar akuzohet nga Prokuroria e Tiranës se ka përdhunuar dhe keqtrajtuar një vajzë 16 vjeçare.
Sipas prokurorisë, Shkëlqim D., fillimisht e ka mashtruar vajzën dhe më pas e ka keqtrajtuar.
Ngjarja ka ndodhur në maj të këtij viti, ndërkohë që sot prokuroria ka nisur kërkesën për gjykim ndaj 40 vjeçarit, duke e akuzuar për pedofili dhe heqje të paligjshme të lirisë. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka nisur hetimin mbi bazën e akteve të referuara për kompetencë nga Prokuroria Elbasan.
Ngjarja
Komisariati i Policisë Librazhd ka regjistruar procedimin penal në maj 2013, lidhur me largimin nga banesa të shtetases D.F., datëlindja 1997.
Ky fakt është kallëzuar nga familjarë të saj.
Pasi kthehet në shtëpi, shtetasja D.F ka bërë kallëzimin penal, ku deklaron se fillimisht ka nisur komunikimin telefonik me një person nga Tirana, i prezantuar si Xhimi, komunikim ky që ka zgjatur tre muaj.
Në datë 06.05.2013, vajza, pa njoftuar njeri, është nisur për në Tiranë ku është takuar me Xhimin, i cili rezulton se është shtetasi Shkëlqim D.
Kallëzuesja deklaron se ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të në shtëpinë e një shtetaseje me emrin B. K.
Më pas, i pandehuri e ka dërguar në shtëpinë e prindërve të tij, në një fshat të Tiranës, ku i ka lidhur duart dhe e ka lënë në një dhomë gjatë gjithë ditës dhe natës.
Një ditë më pas, sipas kallëzimit, i pandehuri e ka lidhur në një pemë në një tjetër zonë të Tiranës, pranë Qytetit Studenti. Në funksion të hetimit, janë kryer veprimet procedurale, si edhe është pyetur shtetasi Shkëlqim D.
Ky i fundit e pranon se kishte dijeni se D.F ishte e mitur. Gjithashtu, pranon se ka kryer marrëdhënie seksuale me të, por mohon të ketë përdorur dhunë.
Po ashtu, i pandehuri pranon se e ka mbajtur të lidhur pranë Qytetit Studenti, me qëllim që vajza të mos largohej.
Nga akt-ekspertiza e kryer në funksion të hetimit, është e provuar se ndërmjet të pandehurit dhe kallëzueses janë kryer marrëdhënie seksuale nën ushtrimin e dhunës.
Duke analizuar sa sipër, rezulton se nga ana e të pandehurit Shkëlqim D. janë konsumuar plotësisht elementët e figurës së veprës penale Marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-16 vjeç dhe Heqje e paligjshme e lirisë, parashikuar në nenet 101/1 dhe 110/1 i Kodit Penal, thuhet në njoftimin zyrtarë të Prokurorisë së Tiranës.