5 km/orë poshtë kufirit të lejuar shpëton jetë në mot me shi!

Nga Eduard Zaloshnja
Nga studimet që kam kryer unë në SHBA, dhe shumë të tjerë nëpër botë, rezulton se reduktimi i shpejtësisë së automjeteve në kushte të motit me shi e ul probabilitetin e aksidenteve rrugore dhe të vdekjeve prej tyre. Konsensusi ndërkombëtar i studiuesve për një reduktim prej vetëm 5 km/orë nën kufirin e lejuar të shpejtësisë në rrugë është se redukton 10% aksidentet rrugore dhe 7% vdekjet rrugore.
Nëntorin e kaluar, aksidentet rrugore dhe vdekjet rrugore shënuan një rritje të papritur në Shqipëri. Ishte një nëntor shumë i lagësht nga shirat e vjetshme.
Edhe nëntori i sivjetshëm duket se do të jetë i dëndur me shira. Deri më sot, falë zotit, nuk kemi patur shumë aksidente dhe vdekje rrugore. Por java në vijim pritet të jetë me shira të papushimta.
Prandaj drejtuesit e arsyeshëm të automjeteve duhet të mbajnë parasysh se një reduktim prej vetëm 5 km/orë nën kufirin e lejuar të shpejtësisë në rrugë i redukton 10% aksidentet rrugore dhe 7% vdekjet rrugore!