E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“5 pyetje që kërkojnë përgjigje për vjedhjen e shekullit”, PD: Rama i përfshirë në aferën e inceneratorëve

Partia Demokratike vazhdon të akuzojë kryeministrin Edi Rama si të përfshirë në mega-aferën e inceneratorëve. Në një dalje për mediat Anëtari i Këshillit Kombëtar Jamarbër Malltezi i kërkoi SPAK hetim të plotë dhe të pavarur.

“Paguhet shumë për ta varrosur aferën e inceneratorëve, me të cilën kanë vjedhur 105 milion euro deri tani, dhe vijojnë çdo ditë. Jo vetëm para’ të shqiptarëve, por edhe taksapaguesve europianë.
Bashkimi Europian ka dhënë 4 milionë euro për përafrim legjislacioni mjedisor përmes projekteve STEMA dhe Selea. Sapo u sinkronizuan ligjet, u hartuan Strategjia dhe Plani Kombëtar i Mbetjeve. Këto u injoruan dhe u vrapua pas një propozimi të pakërkuar për inceneratorë”, tha ai ndërsa ka ngritur 5 pyetje për SPAK.

“Pse u dhunua Strategjia dhe Plani Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve që ishin në fuqi?

Pse u firmos kontrata, ndonëse APP kish sqaruar se procedura ishte e kundraligjshme?

Edi Ramën e zuri ndonjë hall i madh apo bëri ndonjë pazar po kaq të madh që firmosi kontratë në kundërshtim me ligjin?

Pse u mashtrua sikur kompania e sapokrijuar kishte eksperiencë të madhe me incenerimin? Si qëlloka që miqtë e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt qenkan ‘nonat e incenerimit’?

Çfarë halli apo pazari e detyruan Edi Ramën që gënjeu sikur u kryen 10 procedura brenda 1 dite? Këto janë pyetje shumë të thjeshta për shqiptarët, por shumë të vështira për drejtësinë e Soros. Ne kemi një përfundim: Të gjitha këto ndodhin sepse ata i ndajnë paratë së bashku”, tha Malltezi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›