E Hënë, 2 Nëntor 2026

631 mld euro investime në Gjermani, 61 kompani mbështesin rimëkëmbjen me projekte zhvillimi dhe modernizimi

Dhjetëra kompani u zotuan për të investuar të paktën 631 miliardë euro në Gjermani gjatë tri viteve të ardhshme, duke dërguar një sinjal besimi në ekonominë më të madhe të Evropës, teksa qeveria e kancelarit Friedrich Merz po mundohet t’i japë shtysë të re.

Merz mirëpriti në kancelari përfaqësues të një nisme të titulluar “E prodhuar për Gjermaninë” për të dërguar një sinjal besimi për dhe nga investitorët privatë.

Në këtë grup tani për tani bëjnë pjesë 61 kompani nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, në mesin e tyre gjiganti industrial “Siemens” dhe banka “Deutsche Bank”.

“Investimet nga nisma janë një sinjal shumë i fuqishëm që ne tani jemi duke përjetuar një ndryshim në sentiment dhe jemi duke e konsoliduar atë. Porosia… është shumë e qartë: Gjermania është kthyer. Përsëri ia vlen që të investohet në Gjermani. Ne nuk jemi një lokacion i së kaluarës, por lokacion i së tashmes dhe, mbi të gjitha, i së ardhmes”, tha Merzi. Ai theksoi se investimet nga sektori privat janë jetike për inkurajimin e rritjes ekonomike dhe se  në këto plane përfshihen investime në objekte të reja, modernizimin e infrastrukturës, në hulumtime dhe zhvillim.

Ekonomia e Gjermanisë është tkurrur në dy vitet e fundit dhe pritet qëndrojë në stanjacion këtë vit.

Merz e ka bërë rimëkëmbjen ekonomike prioritet të lartë që nga ardhja në pushtet më 6 maj.

Qeveria gjermane hartoi një program për inkurajimin e investimeve dhe themeloi një fond prej 500 miliardë eurosh për të futur para në infrastrukturë në 12 vitet e ardhshme. Ekzekutivi ka premtuar se do ta zvogëlojë burokracinë dhe do ta përshpejtojë procesin e digjitalizimit.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›