E Martë, 3 Nëntor 2026

75-vjetori i themelimit të NATO-s, ministri Hasani: Shqipëria kontribuese e rëndësishme

NATO feston sot 75-vjetorin e krijimit. Kjo ngjarje shënohet me ceremoni në selinë qendrore të aleancës në Bruksel, si dhe në vende të tjera në kryeqytetin belg.

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare janë mbledhur për dy ditë radhazi për të diskutuar një sërë çështjesh, ndërsa fokusi mbetet lufta në Ukrainë.

Ky përvjetor përkon edhe me anëtarësimin e vendit tonë NATO 15 vjet më parë.

Kreu i Shtetit, Bajram Begaj në një postim në rrjetet sociale vlerësoi rolin e duke thënë se siguria globale do ishte e paimagjinueshme pa NATO-n.

“Sot, në 75-vjetorin e NATO-s, na bashkon mirënjohja me aleatët tanë. Uniteti dhe vendosmëria janë shtyllat që e kanë formuar botën tonë të sigurt. Pa NATO-n, siguria globale është e paimagjinueshme”, u shpreh Begaj.

Nga Brukseli ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani deklaroi se vendi ynë do të vazhdojë kontributet me përkushtim të palëkundur.

“Në vitet që pasuan ne kemi bërë maksimumin për të kontribuar në aleancë, duke luajtur një rol të rëndësishëm, proaktiv në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë dhe duke kontribuar në misione dhe operacione në të gjithë globin. Teksa përkujtojmë këtë moment historik, ne do të vazhdojmë kontributet tona për aleancën tonë me të njëjtin përkushtim dhe entuziazëm të palëkundur që kemi treguar që nga dita e parë, në kërkim të paqes, sigurisë dhe prosperitetit”, tha Hasani.

Shefi i diplomacisë shqiptare theksoi se NATO sot qëndron si një garantues i sigurisë kolektive për të gjithë aleatët. /vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›