77-vjetori i Republikës Popullore të Kinës, Pang Chunxue: Ekonomia vijon zhvillimin e qëndrueshëm

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri organizoi sot në Tiranë pritjen zyrtare me rastin e 77-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare, trupit diplomatik të akredituar në vend, personalitete të jetës publike, përfaqësues të medias, si dhe miq të marrëdhënieve shqiptaro-kineze.
Në aktivitet ishte e pranishme ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, e cila në fjalën e saj u ndal te zhvillimet ekonomike dhe teknologjike të Kinës, si dhe te ecuria e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Shqipërinë.
Ambasadorja theksoi se ky vit shënon fillimin e planit të 15-të pesëvjeçar të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kinës, ndërsa vendi po përballet me një mjedis gjithnjë e më kompleks dhe sfidues si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
“Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, prodhimi i brendshëm bruto i Kinës u rrit me 4,7 për qind, me një rritje prej afro 500 miliardë dollarësh, që është rritja më e madhe e regjistruar në pesë vitet e fundit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, u shpreh Pang Chunxue.
Sipas saj, ekonomia kineze i është përgjigjur në mënyrë efektive goditjeve të ndryshme nga jashtë dhe vështirësive të brendshme, duke përballuar presionet dhe duke vijuar përpara në mënyrë të qëndrueshme. Ajo nënvizoi se zhvillimi po shoqërohet me energji të reja dhe ndryshime strukturore.
Në fjalën e saj, Ambasadorja u ndal edhe tek inovacioni shkencor dhe teknologjik. Ajo bëri të ditur se Kina është renditur për herë të parë ndër dhjetë vendet e para të Indeksit Global të Inovacionit.
“Për tre vite rresht, Kina renditet e para në botë për nga numri i 100 grupimeve më të mira të inovacionit shkencor dhe teknologjik”, tha Pang Chunxue.
Ajo vlerësoi zhvillimet në ekonominë kineze si pjesë të një procesi të transformimit dhe modernizimit, me fokus të shtuar tek inovacioni, teknologjia dhe forcimi i kapaciteteve të reja të zhvillimit.
Gjatë fjalës së saj Pang Chunxue, vlerësoi zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë.Sipas ambasadores, tregtia mes Kinës dhe Shqipërisë në vitin 2025 iu afrua 1,6 miliardë dollarëve, me një rritje prej rreth 21% në bazë vjetore. Kina vijon të jetë partneri i dytë më i madh tregtar i Shqipërisë.
Ambasadorja theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë marrë një impuls të ri gjatë këtij viti, ndërsa veçoi shkëmbimet e rregullta mes drejtuesve të dy vendeve dhe vizitat e ndërsjella të drejtuesve të organeve legjislative.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua produkteve shqiptare në tregun kinez. Ambasadorja tha se produktet bujqësore dhe ushqimore shqiptare po bëhen gjithnjë e më të njohura te konsumatorët kinezë, duke përmendur në mënyrë konkrete verën dhe mjaltin shqiptar.
Ajo nënvizoi gjithashtu rritjen e pjesëmarrjes së biznesmenëve shqiptarë në Panairin e Importit dhe Eksportit të Kinës, të njohur si Panairi i Kantonit, si dhe rritjen e numrit të turistëve kinezë që vizitojnë Shqipërinë.Ajo theksoi se Kina do të vijojë të promovojë zhvillimin me cilësi të lartë dhe hapjen ndaj tregjeve ndërkombëtare, duke synuar zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me partnerët e saj.
“Kina nuk është vetëm Fabrika e Botës, por edhe Tregu i Botës”, tha ambasadorja, duke nënvizuar se tregu kinez vijon të përfshijë produkte dhe mallra nga vende të ndryshme të botës.
Në këtë kuadër, ajo u shpreh se Kina është e gatshme të ndajë mundësitë e zhvillimit me partnerët, përfshirë Shqipërinë, dhe të vijojë punën për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
1 nga 12/e.xh/r.e/a.f/