8 vjet mes ujërave të Vjosës, Luka Gramo sfidon rrjedhën e lumit përmes sporteve të aventurës

Në zemër të një prej lumenjve të fundit të egër të Evropës, Vjosës, Luka Gramo ka gjetur jo vetëm pasionin, por edhe qëllimin e jetës së tij. Prej 8 vitesh, djali nga Përmeti sfidon rrjedhën e lumit përmes raftingut, një sport që nuk të fal asnjë ditë të zakonshme.
“Fillimisht shkoja si një klient i zakonshëm dhe më ka pëlqyer gjithmonë“, u shpreh Gramo.
Për Lukën, Vjosa është më shumë se një lum. Është vendi ku ka gjetur veten dhe ku çdo ditë sjell diçka të re.
“Është një mundësi shumë e mirë për të rinjtë dhe energji shumë e mirë pozitive”, tha ai.
Ai flet edhe për marrëdhëniet me operatorët e tjerë që zhvillojnë aktivitete në rrjedhën e Vjosës, duke theksuar bashkëpunimin dhe respektin e ndërsjellë që i bashkon në përpjekjen për të promovuar turizmin e qëndrueshëm.
“Të ndihmojmë njëri tjetrin nëse kemi mundësi ta bëjmë”, thekson instruktori.
Gjatë sezonit turistik, Luka është pothuajse çdo ditë në lum, duke zhvilluar ture rafting, por jo vetëm. Ai ofron edhe sporte të ndryshme, duke u krijuar mundësinë vizitorëve vendas dhe të huaj të zbulojnë bukuritë natyrore dhe biodiversitetin e luginës së Vjosës.
Gazetare: Leonida Koçiu
/rtsh.al/