E Diel, 1 Nëntor 2026

80 vende kërkojnë në OKB rihapjen urgjente të Ngushticës së Hormuzit

Një koalicion prej rreth 80 vendesh kërkoi të enjten rihapjen urgjente të Ngushticës së Hormuzit, duke dënuar Iranin dhe aleatët e tij Houthi për sulmet në rajon që po dëmtojnë tregtinë ndërkombëtare dhe sigurinë energjetike.

Deklarata e përbashkët u lexua nga ministri i Jashtëm i Bahreinit, Abdullatif bin Rashid Al Zayani, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA) në New York.

Sipas tij veprimet e Iranit në Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë të kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare he të drejtat e liritë e lundrimit.

“Ne kërkojmë rivendosjen e plotë të të drejtave dhe parimeve të lundrimit pa vonesë”, thuhet në deklaratë.

Koalicioni dënoi edhe vendimin e Houthive për të rifilluar konfliktin në Jemen, sulmet e vazhdueshme kundër Arabisë Saudite dhe sulmet e papërgjegjshme në Detin e Kuq.

Sipas deklaratës, përparimi i Houthive drejt Ngushticës së Bab el-Mandebit do të rrisë më tej rreziqet për transportin detar ndërkombëtar, sigurinë detare dhe tregtinë botërore.

Mbështetësit e deklaratës përfshijnë shtetet arabe të Gjirit dhe fuqi të mëdha perëndimore. Sipas raporteve, ministri bareinit ishte i shoqëruar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe përfaqësues i Lidhjes Arabe.

Deklarata thekson se kërcënimi në rajon «vazhdon të rritet» dhe thërret për rihapjen urgjente e të plotë të Ngushticës së Hormuzit, si dhe për tranzit të sigurt, të mbrojtur e pa pengesa të anijeve, pa imponim të taksave, kushteve apo pagesave të paligjshme.

Ajo kërkon shmangien e çdo ndërprerjeje të re të tregtisë botërore.

Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më strategjike të transportit detar botëror. Nëpër të kalon rreth një e pesta e naftës botërore, sasi të mëdha të gazit të lëngshëm natyror dhe një pjesë e rëndësishme e plehrave kimike. Kufizimet dhe sulmet e muajve të fundit kanë shkaktuar shqetësime serioze për çmimet e energjisë dhe zinxhirët globalë të furnizimit.

Si Irani ashtu edhe Houthitë e paraqesin veprimtarinë e tyre si mbrojtëse. Kriza e lidhur me Ngushticën e Hormuzit ka vazhduar prej muajsh, pas tensioneve dhe sulmeve në rajon që filluan më herët gjatë vitit 2026, dhe ka provokuar reagime të shumta diplomatike në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe gjetkë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›