80-vjetori i Teatrit Kombëtar përkujtohet me “Topazin”, shfaqjen inauguruese të majit 1945

“Topazi” ishte shfaqja që në majin e vitit 1945 inauguroi Teatrin Popullor.
Plot tetë dekada më vonë, ky institucion i rëndësishëm kulturor përkujton me respekt dhe mirënjohje të gjithë artistët që e kanë ndërtuar dhe mbajtur gjallë skenën shqiptare ndër vite.
Aktorë, regjisorë, dramaturgë e skenografë kanë sjellë për publikun një pasuri të vërtetë emocionesh – nga veprat klasike të teatrit botëror e deri tek krijimet më të spikatura shqiptare.
Në këtë përvjetor ndanë kujtime dhe reflektime emra të njohur të skenës, si Yllka Mujo dhe Luiza Xhuvani, të cilat rikthyen emocione dhe momente të paharrueshme të karrierës së tyre në këtë teatër.
“Dita e parë e punës në Teatrin Popullor… impresionuese për mua. Pashë të hynin në atë studio figura si Piro Mani, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Margarita Xhepa,” u shpreh znj. Xhuvani.
“Hyra në një kolektiv prej 60 aktorësh. Njëri më i mirë se tjetri. Të gjithë figura të spikatura. Përveç kënaqësisë që kam pasur për të luajtur krah tyre ka qenë një përgjegjësi shumë e madhe,” kujtoi znj. Mujo.
Ndërkohë që teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si përjetohet arti, sfida e teatrit mbetet e njëjtë: të jetë pranë publikut, të frymëzojë dhe të lidhë brezat përmes fuqisë së interpretimit.
“Patën një gjë pozitive vitet ’50, ’60. Ajo kohë çoi njerëz që studiuan jashtë, sidomos për regjisurë. Kam përshtypjen dhe bindjen që ajo ngriti nivelin e teatrit me premierat e veprave të mëdha,” tha aktori Ndriçim Xhepa.
“Teatri e vazhdoi përpjekjen e tij për të ndryshuar atë çfarë mund të ndryshohej,” deklaroi Indrit Çobani, drejtor i komanduar i Teatrit Kombëtar.
“Kjo është një nga themelet ku do të punojmë. Nuk do ta bëjmë më urdhër ministrash, zëvendësministrash. Nuk do ta bëjmë me grupe pune nga ato që bëjnë sikur, por me dëgjesa reale,” tha ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
Përvjetori i 80-të u shënua me një ceremoni solemne në ambientet e ArTurbinës, ku ishin të pranishëm trupa e Teatrit Kombëtar, figura të njohura të artit dhe dashamirës të teatrit nga e gjithë Shqipëria.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/