E Hënë, 2 Nëntor 2026

81-vjetori i Çlirimit, homazhe dhe kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve në qytete të vendit

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Në qytetet e vendit u përkujtua sot 81-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë, si dhe dita që nderon sakrificën, qëndresën dhe heroizmin e mijëra të rinjve e të rejave që dhanë jetën për lirinë e vendit.

Autoritetet e larta vendore kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në Varrezat e dëshmorëve në qytete të vendit.

Demo: Të garantojmë një Shqipëri më të mirë

Drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të forcave politike dhe besimeve fetare, familjarë të dëshmorëve, deputetë e qytetarë kryen sot homazhe në Lapidarin kushtuar Dëshmorëve të Atdheut, në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat.

Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo theksoi rëndësinë e kësaj dite të shënuar, duke e cilësuar “sublime” luftën heroike të dëshmorëve dhe gjakun e dhënë prej tyre për çlirimin e vendit.

“Sot së bashku me brezat e rinj kujtojmë jo vetëm sakrificën, por mbi të gjithë të motivohemi që atë që bëjmë në jetën e përditshme, ta bëjmë më mirë për të garantuar një Shqipëri më të mirë për brezat që do të vijnë më pas”, tha Demo.

Përkujtohet në Lezhë 81-vjetori i Çlirimit

Në nderim të kësaj ngjarje kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, veteranë të luftës, pasardhës të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve dhe deputetë të Partisë Socialiste vendosën kurora me lule dhe bënë homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve.

“Shqipëria e vendosur në anën e duhur të historisë dha kontributin e saj modest, me të rënët në luftë për mbrojtjen e vendit nga pushtuesit”, u shpreh Ndreu.

Homazhe në nderim të dëshmorëve në Durrës

Me rastin e 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit të Atdheut, në bashkinë e Durrësit u zhvilluan homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit.

“Përulemi me respekt përpara veprës dhe kujtimit të atyre shqiptarëve patriotë, shumica të reja e të rinj, të cilët luftuan me armë në dorë duke shkruar një ndër faqet më të ndritura të historisë së popullit tonë dhe duke e vendosur Shqipërinë në anën e frontit të madh të lirisë si aleate e koalicionit antifashist”, theksoi kryebashkiakja Emiriana Sako, në një postim në rrjetet sociale.

Saku shprehu mirënjohjen për të gjithë heronjtë dhe dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e vendit.

“Ata sakrifikuan gjithçka për një të ardhme më të mirë për vendin tonë dhe mënyra më e denjë për t’i nderuar është angazhimi ynë i përditshëm për ta bërë realitet Shqipërinë që ata ëndërruan, Shqipërinë evropiane, aspiratën e çdo shqiptari”, tha Sako.

Mati përkujton 81-vjetorin e Çlirimit 

Në bashkinë e Matit u përkujtua sot Çlirimi i vendit si dhe u nderuan dhe kujtuan sot të gjithë ata matjanë të rënë dëshmorë në luftën ndaj nazifashistëve, në kuadër të 81-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.

“Lavdi dhe mirënjohje përjetë dëshmorëve tanë, ku falë atyre sot vendi dhe populli ynë gëzon liri dhe feston këtë ditë të shënuar me 29 Nëntor, festën e Çlirimit”, shkruan bashkia Mat, në një postim në rrjetet sociale.

Fieri nderon Dëshmorët e Atdheut

Festa e Çlirimit të Atdheut u festua sot edhe në qytetin e Fierit, ku në 81-vjetorin e kësaj dite historike u zhvillua një ceremoni nderimi në Varrezat e Dëshmorëve.

Autoritetet vendore, deputetë, qytetarë, veteranë dhe pasardhës të tyre vendosën kurora dhe buqeta me lule në obeliskun kushtuar dëshmorëve të Fierit, duke përkujtuar sakrificën e tyre për lirinë e vendit.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, në një prononcim për mediet, u shpreh se “sot përkulemi me respekt përpara heronjve, përpara dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe kjo është një ndjenjë krenarie. Besoj se këtë e tregon edhe pjesëmarrja e madhe pa dallim moshe, dhe padyshim është tregues që vlerat e luftës do të vazhdojnë të përcillen brez pas brezi. Urimi në këtë ditë është: Lavdi Dëshmorëve, lavdi të përjetshme veprës së tyre dhe padyshim t’i kujtojmë në jetën e përditshme!”.

Në ceremoninë e zhvilluar ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë të Partisë Socialiste, pasardhës të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe komuniteteve fetare.

Vlorë nderohen Dëshmorët në 81-vjetorin e Çlirimit

Kryetarja e bashkisë Vlorë dhe prefektja e qarkut Evis Alllushi dhe autoritete të tjera vendore kryen homazhe sot në Varrezat e Dëshmorëve.

Gjatë ceremonisë së organizuar vendosën kurora dhe buqeta me lule në nderim të Dëshmorëve të rënë në luftë.

“Nderojmë me përulje sakrificën e heronjve që dhanë jetën për të na dhuruar lirinë”, theksohet në postimin e bashkisë Vlorë.

Gjirokastër, përkujtohet 81-vjetori i Çlirimit me nderime dhe mirënjohje

Gjirokastra kremtoi sot 81-vjetorin e Çlirimit me një ceremoni përkujtimore kushtuar Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe heronjve të saj. Banorë, veteranë dhe nxënës u mblodhën për të nderuar bijtë dhe bijat e qytetit që sakrifikuan jetën për idealin e lirisë dhe të ardhmes së vendit.

Kryebashkiaku Flamur Golemi, në mesazhin e tij, theksoi rolin e Gjirokastrës në historinë e rezistencës dhe kontributin e dëshmorëve të zonës.

“Në 81-vjetorin e Çlirimit të Atdheut nderojmë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kontributin e bijve e bijave të Gjirokastrës, një pjesë e të cilëve ranë dëshmorë për idealin e lirisë dhe prosperitetit të vendit,” u shpreh Golemi, duke uruar: “Gëzuar 29 Nëntorin!”.

Elbasan, homazhe dhe mirënjohje për dëshmorët e Atdheut

Në Elbasan, 29 Nëntori u përkujtua me homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve dhe me një pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve, institucioneve dhe familjarëve të heronjve, si dhe përfaqësues të zgjedhur. Ceremonia u zhvillua në një atmosferë reflektimi dhe nderimi për ata që dhanë jetën në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Kryebashkiaku Gledjan Llatja përcolli mesazhin për vlerësimin e sakrificës së brezave që luftuan për lirinë e vendit, duke shkruar: “Lavdi Dëshmorëve të Atdheut!”.

Korçë, qyteti nderon dëshmorët në 81-vjetorin e Çlirimit

Korça shënoi 81-vjetorin e Çlirimit me aktivitete përkujtimore, homazhe dhe një ceremoni solemne ku morën pjesë përfaqësues vendorë, nxënës dhe qytetarë. Atmosfera e kësaj dite ishte e mbushur me krenari për historinë e luftës dhe figurat që kontribuan në të.

Kryebashkiaku Sotiraq Filo shprehu nderimin e institucionit dhe qytetit për heronjtë e lirisë, duke theksuar se, “u përulemi me nderim guximit të trimave që shkruan historinë e Atdheut!”.

Filo theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave të kësaj dite dhe të edukimit të brezave të rinj me frymën e patriotizmit dhe kujtesës historike.

Shkodra nderon Dëshmorët në 81-vjetorin e Çlirimit

Në Shkodër, 81-vjetori i Çlirimit të Atdheut u përkujtua me homazhe dhe vendosje kurorash në Varrezat e Dëshmorëve. Në ceremoninë e zhvilluar morën pjesë deputetë të Kuvendit, përfaqësues të institucioneve vendore, veteranë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë.

Në postimin e tij, kryebashkiaku Benet Beci përcolli mesazhin e tij me fjalët: “Nderim i përjetshëm Dëshmorëve të Atdheut!”, duke theksuar rëndësinë e kujtimit të sakrificës së tyre për lirinë e vendit.

Homazhet u zhvilluan në një atmosferë respekti dhe mirënjohjeje, duke rikthyer vëmendjen te vlerat e luftës dhe historia e qytetit.

Lushnja nderon Dëshmorët për liri

Edhe Lushnja kremtoi sot 81-vjetorin e Çlirimit me një ceremoni përkujtimore në Varrezat e Dëshmorëve, ku u përkujtuan dhe nderuan martirët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Kryebashkiakja e Lushnjës Eriselda Sefa, u shpreh se “kontributi dhe patriotizmi i partizanëve lushnjarë në këmbim të lirisë dhe sovranitetit të Atdheut, është kujtesa jonë e përjetëshme.

Përulemi me nderim të thellë para atyre që mbrojtën vendin me heroizëm dhe sakrificë kundër pushtuesve nazi-fashistë!”

Nderim Dëshmorëve të Atdheut 1 nga 20 /k.s/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›