8.5 milionë euro për heshtjen e Radojçiç, mediat serbe: Çelësi i sekreteve për konfliktet në Banjskë

Pavarësisht hetimeve ndaj Milan Radojçiç për organizimin e sulmit në Banjskë, kompanitë e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, po vazhdojnë punën dhe po u japin pronarëve të tyre dhjetëra milionë euro fitime.
Kështu shkruan media serbe “Nova”. Gazetari Milan Radonjiç në artikullin e titulluar “8.5 milionë euro për heshtjen, Milan Radoiçiç, çelësi i sekreteve për konfliktet në Banjskë” ka zbuluar se ai vazhdon të pasurohet. “Vetëm dy ditë pas sulmit të 24 shtatorit në veri të Kosovës, shteti serb i pagoi 8.5 milionë euro kompanisë “Rad 028” nga Zveçani. Kjo kompani, që është në listën e zezë të Departamentit amerikan të Thesarit, për shkak të dyshimeve se kontrollohej nga Milan Radiojçiç, fitoi dy tendera nga Komuna e Zveçanit më 26 shtator 2023 .” – shkruan ai.
Gazetari serb shkruan se më 28 shtator kompania “Rad 028” fitoi edhe dy tenderë të tjerë për shpërndarjen dhe përdorimin e stimujve për zhvillimin ekonomik për vitin 2023.
I kërkuari nga Interpoli, nga 6 tetori i vitit të kaluar nuk është më zyrtarisht bashkëpronar në disa prej kompanive të tij, pasi aksionet e veta ua transferoi dy ortakëve, Zvonko dhe Zheljko Veselinoviç. “Nuk ka dyshim se ata do të ndajnë fitimet sikur të mos kishte ndryshuar as pronësia dhe as struktura e kompanive”- shkruan gazetari Radojniç, i cili më tej thotë se sulmi në Banjskë, që u organizua nga Milan Radoiçiç , “mbolli shumë mina të vogla, por politikisht vdekjeprurëse”, prandaj edhe Beogradi është i detyruar të shohë me kujdes çdo hap pas 24 shtatorit të vitit 2023.
Gazetari serb shkuan se falë mbështetjes nga Beogradi, kompania “Rad 028” në 10 vitet e fundit, ka fituar më shumë se 100 tenderë, të cilët janë financuar me para nga buxheti i Serbisë.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/