A do të guxojë Nano të rikthehet në Vlorë?
Unë jam këtu për të mbështetur dhe e përsëris publikisht se jam këtu për ti bërë thirrje socialistëve të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë që të votojnë socialistët e denjë, tha Nano në këtë rishfaqje të tij të fundit, qartazi turbulluese, në prag zgjedhjes.
Ai foli me një lloj patetizmi thellësisht zhgënjyes e aspak denjësisht,duke konsideruar Malajn e ndonjë të pavarur tjetër si socialist të denjë dhe gjithë skuadrën e kandidatëve të PS të qarkut të Vlorës e më gjerë si të pa denjë.
Në fund të mandatit të Nanos si kryeministër i vendit, pikërisht në Vlorë shpërthyen protestat qytetare më të fuqishme që kanë ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Shkaku ishte pikërisht vendimmarrja e kryeministrit Nano për të ndërtuar parkun energjetik të naftës në Gjirin Turistik të Vlorës.
Shkaku ishte tradhtia e tij kombëtare duke miratuar në parlament marrëveshjen për shitjen e 183.000 m2 territor shqiptar të bregdetit magjepsës të Vlorës e gjithë Adriatikut (shënimi im: Shën Naumi Perëndimor) një kompanie Italiane për 1 euro, kontratë të cilën e firmosi më pas sivëllai i tij Berisha. Qytetarët e Vlorës protestuan kundër Nanos edhe me votë në 2005, duke prodhuar në Vlorë, si asnjëherë tjetër qysh nga viti 1992, më shumë mandate për Berishën se sa për Partinë Socialiste.
Pasojat e këtyre vendimmarrjeve mëse të papërgjegjshme të projektuara nga Nano e të përfunduara nga Berisha nuk janë të vogla.
Sot shqiptarët janë të detyruar të paguajnë 100 milion euro të marra borxh për gërdallën e TEC-it të Vlorës, e duke marrë si kosto shtesë bllokimin e plazhit të mrekullueshëm të Nartës.
Një vijë bregdetare prej gati 4 km deri në Zvërnec pushtuar pikërisht nga TEC-i e Petrolifera ka dalë jashtë funksionit si potencial turistik.
Ndotja e akumuluar e detit edhe për shkak të lehtësirave të dhëna firmës së paskrupullt Bankers për të shkarkuar e ngarkuar naftë bruto në mes të Gjirit të Vlorës, po kontribuon në një asfiksim të mundshëm dhe të sektorit më vital ekonomik, turizmit, në Vlorë.
Ndër shumë pushtime dhe tentativa pushtimesh grabitqare në Vlorë me gjoja projekte zhvillimi qysh nga TEC-i famëkeq i Vlorës, Petrolifera, naftësjellësi AMBO, parku eolik i sicilianeve në Karaburun, superporti i kontejnerëve në Gji të Vlorës, vepra të kundërshtuara prej qytetarëve të Vlorës, asnjëherë nuk është ndier zëri i ekonomistit Arben Malaj, veç amplifikimit prej tij të vendimmarrjeve perverse të Nanos kryeministër në Vlorë edhe në qarqe ndërkombëtare.
Unë si vlonjat nuk di ndonjë kontribut (qoftë dhe jo të shquar) të z. Malaj për një zhvillim të qëndrueshëm të qytetit të Vlorës.
Kontributi i tij këto kohë ka qenë afër atij të një analisti financiar të zakonshëm të makroekonomisë, por me akses më të madh në media.
Të kundërtën them me bindje kur lexoj tani Nanon: Rama do jetë përgjegjës nëse votat shkojnë tek Malaj dhe jo tek Kokëdhima. Them me bindje se edhe vetëm Kokëdhima do votohej shumë më tepër se Malaj në Vlorë, pasi Kokëdhima me gazetën e tij Shekulli ka qenë zëri i revoltës së qytetarëve të Vlorës kundër Nanos e Berishës për bëmat e tyre famëkeqe që i vuajnë sot gjithë vlonjatët e gjithë shqiptarët dhe mund ti vuajnë brezat edhe më shumë.
Dhe mos të harrojmë dhe një betejë të fituar nga shoqëria civile dhe të inspiruar (për hir të së vërtetës) direkt nga Kokëdhima kundër planit më makabër të Nanos për të importuar plehrat e Italisë e për ti djegur ato pranë kryeqytetit shqiptar.
Rikthimi i Nanos në Vlorë është nul efekt. Malaj po të kish dalë pa Nanon mund të kishte një farë ngarkese. Me Nanon mbetet nul, gjithashtu.
