A do të ketë Kosova zgjedhje të parakohshme? Sot përfundon afati për zgjedhjen e Presidentit

Përfundon sot, më 6 tetor, afati kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati ka nisur më 8 gusht, pasi në këtë datë kishte përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit, dhe duhet të përmbyllet brenda ditës së sotme.
Deri në përfundimin e këtij afati, Kuvendi duhet të zgjedhë kreun e shtetit.Nëse Presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare. Sipas përcaktimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpërndarja e Kuvendit. Në rast se institucioni shpërndahet sot, zgjedhjet mund të mbahen më së largu më 15 nëntor. Çështja e zgjedhjes së Presidentit ka dominuar zhvillimet politike gjatë javëve të fundit, por partitë nuk kanë arritur të sigurojnë një marrëveshje për kandidatin dhe votat e nevojshme.
Më 8 gusht, kur skadoi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu sërish procesin. Lëvizja Vetëvendosje këmbënguli se seanca nuk duhej të vazhdonte pa një marrëveshje paraprake për Presidentin. Kuvendi u konstituua përfundimisht më 13 shtator.
Ndërkohë, pas disa takimeve politike, Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftuan se kishin rënë dakord për kandidaturën e Bekim Sejdiut për President. Marrëveshja u kundërshtua nga gjashtë deputetë të LDK-së, ndërsa Sejdiu më vonë njoftoi tërheqjen nga kandidatura.
Zgjedhjet e 7 qershorit ishin rezultat i krizës së mëparshme politike dhe pamundësisë së partive për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit. Nëse edhe sot dështon zgjedhja e kreut të shtetit, Kosova pritet të përballet sërish me zgjedhje parlamentare, të cilat do të ishin të katërtat brenda dy vitesh.