E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të ofrojë PS-ja kartonët jeshil në Kuvend?

Megjithëse deputetët socialistë, i janë rikthyer normalisht jetës parlamentare dhe situata është qetësuar jo pak, duket se dhënia e këtyre kartonëve jeshil do të kushtëzohet me ofrimin e një kompromisi nga ana e maxhorancës së djathtë.

Të paktën këtë ka lënë të kuptohet sot në seancë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili tha se qeveria nuk po iu përgjigjet ofertës së opozitës. Për të gjetur një mirëkuptim për bërjen bashkërisht të një mjaft reformash, aq të domosdoshme për integrimin e vendit.

“Ligji për Gjykatën Administrative absolutisht që duhet. Gjykata Administrative absolutisht që duhet. Ky është mesazhi që kemi ne si opozitë për gjithë komunitetin e biznesit, e për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë kontribuar prej kohësh në këtë projektligj. Por, as partnerët tanë ndërkombëtarë, e as biznesi shqiptar nuk kanë nevojë për një padrejtësi të re. Veç këtij ligji, nga 22 apo 23 ligje që keni këtu, gati 10 apo 11 janë ligje Kodesh që duan shumicë të cilësuar.

Që përsëri të çojnë tek kryefjala që thashë që në fillim, që kërkohet një mirëkuptim, kërkohet një zgjidhje e krizës politike dhe kërkohet një marrëveshje e gjerë dhe e plotë, që ky institucion duhet të përmbush misionin e tij jo me ngjyra partiake, por për t’i dhënë qëndrueshmëri”, tha Ruçi gjatë fjalës së tij në Kuvend.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të grupit demokrat, Astrit Patozi, i cili ka theksuar se në vend nuk ka krizë dhe se ky term nuk duhej të përdorej nga Partia Socialiste. "E ftoj opozitën të harrojë fjalën krizë. Në rast se ajo ka një vit që e përsërit atë vazhdimisht ky vend nuk ka krizë. As Parlamenti dhe funksionimi normalisht i kësaj seance janë prova më e mirë për këtë. Nëse ju doni të ndillni krizën dhe ta sillni në Shqipëri, pasi e keni vërejtur edhe në vende të tjera, ky është një mision i pamundur", iu drejtua Patozi deputetëve të majtë.

Por gjatë debatit midis dy kryetarëve të grupeve, nuk ka munguar edhe kampionati Botëror i futbollit, ku “loja”, duket se po luhet mirë edhe fushën blu-rozë të politikës shqiptare.

“Nxirrni mësime, se kur një ekip humbet, kur arbitri vërshëllen tre herë, humbësi i jep dorën fituesit. Aty mund të mësoni se kur ngrihet një kupë, nis koha e përgatitjes për evenimentin tjetër, i cili vjen shumë shpejt”, tha Patozi.

Pas kësaj, në foltoren e Kuvendit doli Ruçi, i cili u shpreh se homologu demokrat nuk e kishte përmendur këtu trukimin e ndeshjes, që me sa duket kishte të bënte me votimet.

“Ne kemi 10 muaj që flasim për trukimin e ndeshjes. Goli me dorë pranohet, por trukimi hetohet dhe ndëshkohet”, theksoi Ruçi.

Edhe pak ditë mbushet 1-vjetori që kurse janë zhvilluar zgjedhjet, ku kjo datë koinçidon edhe me mbylljen e kalendarit tre javor të punimeve të Kuvendit.

Sot pas gati 347 ditë që kurse u zhvilluan zgjedhjet, klasa politike shqiptare duket se ka gjetur rrugën e “paqes”. Por, gjithsesi se sa e brishtë do të jetë kjo paqe, kjo do të shihet në ditët në vijim. /S.Lleshi/start/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›