E Shtunë, 31 Tetor 2026

A e mbron shëndetin publik, Inspektorati Shtetëror Sanitar?

Roland Shuperka                                                                                         

-Mungesa prej vitesh e reformave ka përshkallëzuar gjendjen e rënduar të Inspektoratit Shtetëror Sanitar apo Shëndetësor (siç tashmë është propozuar), mundet më e dobta që nga krijimi i tij. Mangësitë, ndër të tjera, qoftë në njohjen e legjislacionit përkatës dhe, sidomos, në zbatimin e tij, vazhdojnë të jenë të qenësishme, çka ka bërë që roli i Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe figura e inspektorit sanitar të rezultojnë të pafuqishme dhe shpesh të diskretituara ndaj subjekteve dhe individëve që duhet të zbatojnë ligjin dhe që e shkelin atë. Sa më sipër dëshmohet edhe në “Raport-Mbikëqyrje” të Inspektoratit Qendror “Mbi rezultatet e kontrollit në Autoritetin Shëndetësor Rajonal Tiranë (ASHR) për periudhën shtator-dhjetor 2012”, kontroll i ushtruar në janar-shkurt 2013. Në këtë raport, ndër shumë e shumë mangësi dhe shkelje, konkludohet se: “Nga strukturat inspektuese të ASHR-së Tiranë nuk zbatohet ligji Nr.10433, datë 16.06.2011 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, në fuqi që nga muaji janar 2012”. Gjithashtu, në Raport-Mbikqyrje rezulton që nga Inspektorati Sanitar Shtetëror i Tiranës, në zbatimin e ligjit anti-duhan, është abuzuar në dëm të biznesit me gjobat e vëna, duke u vënë gjoba edhe nga punonjës të pa-autorizuar, duke mos zbatuar kriteret ligjore në këtë proces, duke mosplotësuar vendimet e gjobave siç kërkon ligji, duke anulluar në shkelje të ligjit, madje duke edhe grisur, vendim-gjobat e vëna, etj, etj. Kjo ka bërë që në veprimtarinë e Inspektoratit Sanitar të Tiranës të mos respektohet, siç dhe ligji e kërkon, biznesi, të mos instalohen urat ligjore të ndërveprimit, por biznesi të konsiderohet palë kundërshtare dhe të dhunohet nëpërmjet gjobave, çka pati si pasojë moszbatimin në Tiranë të ligjit anti-duhan!

Ndërkohë në ASHR dhe Inspektoratin Sanitar Shtetëror Tiranë edhe sot vijon e njëjta gjendje, çka dëshmon krejt qartë se në ketë institucion të madh të Shëndetit Publik, duke u instaluar skema të shfrytëzimit të postit zyrtar për interesa personale dhe duke ushtruar detyrën pa përgjegjësinë që ngarkon ligji, tashmë ka lulëzuar korrupsioni zyrtar.

Veç sa më sipër, korrupsioni në ASHR Tiranë evidentohet edhe në lëshimin, në rrugë abuzive, të Librezave personale shëndetësore për individët që kanë detyrim pajisjen me to – kompetencë kjo e Inspektoratit Sanitar. Theksohet në “rrugë abuzive”, sepse nëse do t’i hyhet verifikimit, do të konstatosh mosarkëtimin në masë të konsiderueshme dhe në dëm të arkës së Shtetit, të tarifave shtetërore (prej 500 lekë të reja për çdo Librezë), si dhe lëshimin e Librezave shëndetësore duke anashkaluar ekzaminimet mjekësore që kërkohen sipas Rregullores në fuqi. Zyrtarë të caktuar të këtij institucioni, duke instaluar skema të mirëfillta përfitimi, e kanë kthyer procedurën e lëshimit të Librezave shëndetësore në tregti përfituese individuale. Dhe kjo ngjet në mes të Tiranës dhe në Inspektoratin Sanitar të Tiranës, më i madhi dhe më kryesori i vendit.

Shumë nga shkeljet ligjore të konstatuara nga Inspektorati Qendror në Inspektoratin Sanitar të Tiranës, por dhe të tjera, i janë referuar edhe më parë  drejtuesve më të lartë të Ministrisë të Shëndetësisë në kuadrin e veprimtarisë së Task Force anti-duhan, megjithatë vazhdon e njëjta gjendje, çka dëshmon krejt qartë se edhe në Ministrinë e Shëndetësisë ka mungesë serioziteti dhe përgjegjësie në kryerjen detyrave që ngarkon ligji përsa i përket funksionimit të Inspektoratit Sanitar Shtetëror.

Në Inspektoratin Sanitar, në rang vendi, aktualisht punojnë mbi 400 punonjës, nga të cilët 100 punonjës kanë detyrën e inspektorit sanitar dhe 200 atë të ndihmës inspektorit. Në këtë shërbim përfshihen edhe mbi 100 specialistë laborantë,  të lartë dhe të mesëm. E gjithë kjo armatë paguhet rregullisht sipas shkallës së arsimimit.

Vendi ynë padyshim ka nevojë për një Inspektorat  Shtetëror Sanitar, apo Shëndetësor të fortë, aktiv dhe të mirë-organizuar, që t’i përgjigjet plotësisht dhe në kohë kërkesave dhe zbatimit të ligjeve në fuqi. Reforma në fushën e Inspektoratit  Shtetëror Shëndetësor duhet të fillojë sa më parë. Institucioni i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor  ka nevojë për rikonceptim strukturash, ndryshime në mentalitet dhe në metodologjinë e punës, në marrje përgjegjësie, aftësi dhe përkushtim, kompetencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie, po ashtu edhe instalimin e sistemeve që pengojnë korrupsionin. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor është në mbrojtje të Shëndetit Publik. 

Shteti ka për detyrë të mbroje shendetin e qytetareve të vet, gjë që nuk po ndodh.

Inspektoriati dhe shendetesia shqiptare në teresi ka nevoje urgjente për informatizim  të gjithe sistemit shendetesor, në të kundërt do të vuaj pasojat e korrupsionit dhe të shkatërrimit të këtij sistemit.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›